Shumica e partive parapëlqejnë 7 qershorin për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë

30 prill 2026 | 16:06

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka takuar të enjten përfaqësuesit e partive politike në vend, për të biseduar për caktimin e një date për zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare.

Përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se “shumica u pajtuam” që zgjedhjet e reja të mbahen më 7 qershor.

Ata duhej të zgjidhnin mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit, për zgjedhjet e treta parlamentare brenda rreth një viti e gjysmë.

Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.

“Po, sidoqoftë ne do të marrim në konsideratë edhe vullnetin e punës dhe arsyet që zgjedhjet të jenë sa më mirë të përgatitura, dhe normal edhe KQZ-ja ka punën e vet, vlerësimin e vet të punës, të gjitha përgatitjet e nevojshme”, tha ai.

Një ditë më parë, Haxhiu e takoi kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili tha se ky organ – i cili bën mbarëvajtjen dhe organizimin e zgjedhjeve – parapëlqen 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.

Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike (LDK) në opozitë theksoi se partia e saj është “dakord me datën 7 qershor”.

“Si LDK, ne dhamë mendimin tonë që, brenda kornizave ligjore të shpallet 7 qershori si data e zgjedhjeve, meqë edhe KQZ-ja ka kërkuar paraprakisht, sepse i duhet më shumë kohë për organizimin sa më profesional të zgjedhjeve”, tha Lushaku pas takimit.

Po ashtu, edhe anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ardian Gjini, konfirmoi se ka “pajtueshmëri pothuajse të plotë” që zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.

“Edhe ne jemi pajtuar, edhe pse nuk kemi pasur ndonjë preferencë të posaçme për datat, thënë të drejtën, mirëpo po duket që ka qenë pothuajse konsensus i plotë që të jetë data 7 qershor”, tha ai.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.

Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor.

Pas takimit të sotëm, Haxhiu pritet ta shpallë zyrtarisht datën e zgjedhjeve të parakohshme dhe ajo ka kohë deri në fund të javës së ardhshme për ta bërë këtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aldonat Deva nga Gjakova shpall të pavlefshme diplomën e shkollës…