Shyqri Nimani: 16 orë rresht punova në Deklaratën e Pavarësisë

16 shkurt 2020 | 09:03

Nga mbrëmja e 16 shkurtit 2008, Shyqri Nimani, profesor i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, kaligrafisti i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, ka treguar shumë gjëra  interesante.

Ai për 16 orë rresht kishte punuar në Deklaratën e Pavarësisë, por që nga ajo kohë, tashmë kur po bëhen 12 vjet, askush nga qeveria nuk e ka ftuar për nënshkrimin e kontratës për punën që ka bërë.

“Sidoqoftë, tani e përgjithmonë, deri në pagesën e honorarit, Deklarata mbetet pronë e imja artistike dhe historike”, ka thënë Nimani për gazetën “Epoka e re”.

Në këtë intervistë, ai ka folur edhe për emocionet gjatë shkrimit të tekstit të Deklaratës së Pavarësisë në formatin A/4.

“Epoka e re”: Z. Nimani, Kosova më 17 shkurt feston 12-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ju për 16 orë rresht kishit punuar në Deklaratën e Pavarësisë dhe e kishit përfunduar pesëmbëdhjetë minuta para orës 15:00. Na tregoni rreth atyre çasteve.

Nimani: Ç’është e vërteta, në ato çaste unë kam pasur dy lloj ndjenjash të gërshetuara njëra me tjetrën,emocione dhe ankthe. Natyrisht se emocionet kishin të bënin me të qenit i vetëdijshëm se po ndodhte, më në fund, ajo ngjarje historike e shumëpritur e shqiptarëve dhe se fati kishte vendosur që unë ta kaligrafoja (bukurshkruaja) artistikisht me dorën time këtë akt të rëndësisë së parë. Nga ana tjetër, ishte ankthi i madh që më kaploi kur kuptova atë mbrëmje se ishin tri faqe të plota të tekstit të Deklaratës në formatin A/4, të cilat unë do të duhej t’i kaligrafoja në pergamenë (lëkurë viçi). Paraprakisht unë u kisha thënë se do të më duheshin së paku shtatë ditë për këtë ndërmarrje të ndërlikuar, gjithë një duke menduar se teksti do të përmbante vetëm një faqe kompjuterike, A/4. I gjendur në këto rrethana të pavolitshme, unë nuk kisha zgjidhje tjetër pos t’i përvishesha punës me të gjitha fuqitë e mia të mundshme. Unë kisha marrë me vete të gjitha veglat dhe materialet e domosdoshme në zyrat e Qeverisë (meqë kështu më kishin kërkuar). Për çdo rast, kisha marrë me vete dy fletë të mëdha pergamenetë formatit A/2 (420 x 594 mm). Kjo u tregua e arsyeshme sepse, pos tekstit shumë të gjatë të Deklaratës, duhej të llogaritej hapësira edhe për 120 nënshkrimet e kuvendarëve të Kuvendit (morën pjesë 109 gjithsej) si dhe për nënshkrimet e kryeministrit, presidentit dhe të kryetarit të Kuvendit.

Edhe pse, për një çast, kur koha e dorëzimit të Deklaratës po afrohej pamëshirshëm mendova se nuk do t’ia dilja, se për herë të parë në jetën time artistike do të dështoja, por ishte djali im, Agoni, (i cili tërë kohën e 16 orëve ishte me mua dhe fotografonte kohë pas kohe), i cili më fuqizoi me fjalët e tij inkurajuese se ‘do t’ia dalësh’. Dhe vërtet ia dola. Pastaj, të kënaqur, morën Deklaratën dhe nxituan për në Ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, e cila, fatmirësisht, ishte fare pranë godinës së Qeverisë së Kosovës.  

“Epoka e re”: Kryeministri i atëhershëm, z. Thaçi, erdhi dhe jua mori dokumentin. Çfarë ju tha në ato çaste, cili ishte komenti i tij i parë?

Nimani: Duhet të theksoj se kryeministri i atëhershëm, z. Hashim Thaçi, që nga fillimi i përgatitjeve dhe konsultimeve tregoi interesim të jashtëzakonshëm. Ai vinte kohë pas kohe gjatë procesit të kaligrafimit dhe shikonte me vëmendje shumë të përqendruar. Me të vinin edhe disa bashkëpunëtorë të tij, si Hajredin Kuçi, Vlora Çitaku… andaj, kur ai erdhi me një grup vet dhe me gazetarin Blendi Fevziu, bashku mekameramanin e TV KLAN të Tiranës, unë sapo isha duke e përfunduar kaligrafimin; ishin pikërisht 15 minuta para orës 15.00 të pasdites së 17 shkurtit të vitit 2008. Kur e panë të gjithë Deklaratën e kaligrafuar të përfunduar, ata shfaqën në fytyrat e veta befasinë admiruese.

“Epoka e re”: Është bërë e tëra fund e krye siç e kishit paramenduar, apo ju ngeli edhe diçka tjetër merak në punën tuaj për Deklaratën e Pavarësisë?

Nimani: Kufizimi drastik i imponuar nga afati kohordhe nga papërvoja e punëdhënësit institucional në rastin e kaligrafimit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, sigurisht se më ka penguar për realizimin edetyrës sipas paramendimit tim, që do të thotë sipas kanoneve të përcaktuara tradicionalisht. Unë kam dashur ta kaligrafoj Deklaratën me një font veçantë shkronjash, me iniciale ornamentale, me iluminacione shembëllesash florale dhe faunale, me ngjyra të llojeve nga më të ndryshmet dhe me zbukurimet e toneve të pigmenteve fluorocente si dhe me ngjyra bronzi të argjendta dhe të arta. Por, kam qenë i detyruar ta konvertoj konceptin paraprak, mbase ta quaj ‘pispillosës, në atë më ‘reduktuar me përdorimin e vetëm një ngjyre, të së zezës dominuese,me shkronja të përmbajtura dhe më të lexueshme të stilit italik me ritëm dhe dinamikë subtile. Sepse mu kujtua dhe vendosa ta ndërlidhja me tipin e shkronjave italik me cilin është kaligrafuar dokumenti yilashtë dhe i mirënjohur ‘Formula e pagëzimit’ (1462) nga kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli. Megjithatë, më vjen shumë mirë që edhe dokumenti i shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (4 korrik 1776) është kaligrafuar thjesht dhe vetëm me një ngjyrë dhe i përngjan dukshëm dokumentit tonë.

“Epoka e re”:  Çfarë s’është thënë deri më tani rreth punës së kësaj deklarate?

Nimani: Mbase ka dhe shumë gjëra të tjera që nuk i kam thënë deri më tani. Një nga to është çështja e kontratës së autorësisë dhe e pagesës së honorarit. Mbrëmjen e 16 shkurtit 2008, kur unë isha duke u përgatitur ta bukurshkruaja Deklaratën në godinën e Qeverisë, më takoi Abedin Qupevaj, shef i protokollit, i cili më kërkoi që në kontratën që do ta bënim të figuronte që, pos meje, edhe Qeveria e Kosovës të ishte bashkautore e Deklaratës. Unë i thashë se për këtë çështje as që mund të mendoja, ngase unë po mendoja vetëm për mundësinë e kryerjes së kaligrafimit në këto rrethana të vështira. Nga ajo kohë e deri më tani, tashmë mbi dhjetë vjet të kaluara, askush nga Qeveria nuk më ka ftuar për nënshkrimin e kontratës e as unë nuk kam vajtur atje. Sidoqoftë, tani e përgjithmonë, deri në pagesën e honorarit, Deklarata mbetet pronë e imja artistike dhe historike.  

“Epoka e re”: Si ndiheshit ju derisa lexohej deklarata në seancën solemne dhe si ndiheni tani, kur jeni autor i dokumentit më historik të Kosovës?

Nimani: Kur e morën Deklaratën e kaligrafuar unë u ndjeva aq i çliruar, sa më dukej se hoqa nga vetja atë barrën e madhe të Sizifit nga trupi. Meqë unë dhe biri im, Agoni, ishim shumë të rraskapitur pas një pune të pandërprerë 16orëshe dhe pa rroba solemne, aktin solemn të shpalljes së Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës e përjetuam me anë të ekranit televiziv në një nga hapësirat e Qeverisë. Përjetimi i atëhershëm ishte i papërshkrueshëm lumturi ngashënjyese, marramendëse. E sot, fatkeqësisht, ai entuziazëm dhe magjepsje paksa (apo bukur shumë) është venitur. Por, prapëseprapë, pas shiut lind dielli.

 

(Albulena S. MAVRAJ)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Finalja e Kosovës me Serbinë ka hyrë në fazë më…