Si e pashë Prishtinën e trazuar në vitin e kthesës së madhe të vitit 1981

11 mars 2026 | 15:31

Si e pashë Prishtinën e trazuar në vitin e kthesës së madhe të vitit 1981.

Shkruan: Skender Haliti

Distanca kohore mes 11 marsit 1981 e fundit të vitit 2025 është në ndërkohë një interval kohe i madh, pothuajse gjysmëshekulli. Kjo periudhë e gjatë kohore na lejon të shohim më qartë gjithçka që ndodhi në atë kohë, por edhe të harrojmë ndonjë gjë të vogël. Siç tregon fizika kuantike, gjërat e vogla kurrë s’janë aq te vogla sa ç’i pandehim. Megjithatë, gjënë kryesore e shohim më mirë e më qartë. Pa vitin 1981 dhe ngjarjet e tij, Siujdhesa ballkanike sot do të ishte ndryshe. Për këto ngjarje flitet ende në forma të ndryshme. Pozicioni në hierarkinë sociale shpesh bën që të flitet me disponim të ndryshëm për to. Nëse nuk do të ndodhnin disa gjëra, shteti i Jugosllavisë ndoshta do të ekzistonte ende?! Ndonjë politikan shqiptar i viteve 1980 sot thotë se ne e kishim shtetin e Kosovës, por me një emër tjetër. Duhet të them qartë se ne nuk kishim asgjë, aq më pak shtet, sepse autonomia ra shumë shpejt si një kështjellë letre, nuk u mbrojt pikërisht nga ata që përfitonin prej saj, kurse për krijimin e shtetit të Kosovës nuk mjaftoi vetëm lufta jonë e armatosur, por u desh edhe ndërhyrja e botës, e NATO-së, e cila ende është brenda Kosovës, në mbrojtje të shtetësisë së saj. Për krijimin e shtetit të Kosovës u desh të ndërhynin ushtarakisht shtetet më të fuqishme të botës, kaq e ndërlikuar ishte çështja. Një politikan që s’i kupton këto nënshtresa të çështjes shqiptare dhe çështjen e shtetit të Kosovës e sheh si një çështje thjesht jugosllave, them me bindje të plotë se nuk e ka kuptuar këtë çështje. Një çështje që është krijuar nga fuqitë e mëdha evropiane nuk mund të zgjidhet kurrë pa përfshirjen e tyre në proces, mendoj sot e ndoshta kam menduar kështu edhe atëherë. Është një iluzion i madh të besosh se kjo çështje mund të zgjidhej nga mirëkuptimi politik apo lufta e armatosur mes serbëve dhe shqiptarëve. A e kam parë atëbotë çështjen kështu, e kam vështirë ta them tani. Por e dija që atëherë se ishte një çështje e jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe që nuk mund të zgjidhej pa luftë. E parashikoja një involvim të Perëndimit në anën tonë dhe të Bashkimit Sovjetik dhe të satelitëve të tij në anën e Serbisë, por si dhe sa do të ndërhynin faktorët e jashtëm nuk mund ta dija atëbotë. Ka shumë mundësi që luftën e parashikoja shumë më të përgjakshme seç ndodhi. Ndërhyrja e NATO-së, kur ngjau, këtë gjë s‘e kisha përfytyruar në asnjë skenar timin, për mua ishte e barabartë me mrekullinë, sepse ajo e çoi luftën në çdo kënd të Serbisë. Tani kur dëgjojë politikanet serbë dhe gjeneralët e APJ-së për kërcënimet e vazhdueshme të NATO-së me bombardimin ndaj Beogradit, më duket gjithçka më e thjeshtë, por në atë kohë gjithçka ishte e ndërlikuar dhe enigmatike. Madje mund të them se Jugosllavia më dukej tej mase e përkëdhelur nga fuqitë e mëdha. Tani e marrë vesh se s’kishte qenë aspak kështu. Si i i kam përjetuar ngjarjet e vitit 1981? Duke qenë se banoja në Prishtinë, përjetimi im i demonstratave të para ka qenë i drejtpërdrejt, personal.

Siç do të rrëfej në vazhdim, kam kapur diçka nga atmosfera e 11 e 26 marsit dhe e 1 prillit 1981. Pas Demonstratës së 1 prillit 1981 u ktheva në vendlindje. Studioja në Fakultetin Ekonomik, por banoja te vëllau im Isa Haliti, i cili ishte punëtor në Ndërmarrjen Ndërtimore „Kosova“ të Vushtrrisë, e cila kryente disa punime në kryeqytetin e Kosovës. „Kosova“ e Vushtrrisë ishte një ndërmarrje e madhe ndërtimore, por më e vogël se „Ramiz Sadiku“ i Prishtinës. Banesat e punëtorëve që thuhej se e kishin pushtetin politik ishin të thjeshta, në disa baraka të vendosura afër postës së re në lagjen e Dardanisë. Ngjarjet e 11 marsit s‘i kam përjetuar në pikënisjen e tyre: në menzën e studentëve, sepse unë si student formalisht nuk kisha të drejtë të kam qasje në objektet sociale të studentëve, pasiqë isha një student i toleruar, por jo i dëshiruar. Për brezin e sotëm kjo situatë është e pakuptueshme, edhe për mua subjektivisht ishte një ngarkesë e madhe, një padrejtësi, por për brezin e prindërve të mi që s’e kishin përjetuar asnjë formë të shkollës sipërore shqipe, as shkollën e mesme, ky zemërim i im iu dukej i pakuptueshëm, ishte si një lloj luksi i tepruar. Nuk do të kalonte shumë kohë, vetëm disa muaj, derisa të më komunikohej edhe dënimi për ndalim studimesh për 5 vjet. Kjo ndodhi në janar të vitit 1982. Edhe pse nuk isha në qendër të ngjarjeve, si dëshmitar periferik, disa gjëra i kam parë përjetuar drejtpërdrejt. Nuk pretendoj se di gjithçka, sepse disa gjëra nuk kam mundur fare t‘i përjetoj me vetë faktin se nuk isha student që banoja në konvikte, aty ku u mbrujtën ngjarjet studentore. Megjithatë, si student i periferisë dhe një person me interesime të veçanta politike, nuk mund të isha indiferent për atë që po ndodhte. Në fakt, gjithë brezi im ishte disi i politizuar, kështu që prania ime në këto ngjarje, ndonëse e vonuar, ishte e vetëkuptueshme, por kontributi i im organizativ reduktohej thjesht në pjesëmarrje. Më 11 mars 1981 dola në qytet dhe pashë se ishin thyer reklamat e filmave të kinemave te Radio Prishtina. Në reklama jepesh filma që synonin degjenerimin moral të të rinjve. Atëherë ekzistonte bindja e përgjithshme se këta filma i shërbenin atyre që donin ta çorodisnin rininë, në mënyrë që ajo të mos mendonte e vepronte politikisht. Thuhej se në këtë mënyrë neutralizohej vullneti politik rinor dhe sundimi bëhej më i lehtë. Kështu mendonin shumë studentë, ndaj dhe këto reklama ishin bërë caku i mllefit të tyre. Unë, personalisht, konsideroja se këta filma nuk jepeshin rastësisht, kështu që te kjo lëvizje studentore pashë një lëvizje që kishte orientim të shëndetshëm politik. Ishte një lëvizje politike që kishte filluar mbarë, por a do të mund të qëndronte gjatë e tillë? Mendoja nga frika se kahu i veprimit politik mund të ndryshonte. Nga rruga përballë Radio Prishtinës shkova në menzën e studentëve ku gjeta një tollovi të madhe, por asgjë që mund të quhej protestë. Natyrisht tani po shkruaj për diçka që dihet, atëherë shumë gjëra, unë s‘i dija, kështu që njeriu atë që s‘e di, as nuk e sheh. Edhe tollovia që gjeta në menzë, mund të jetë një interpretim subjektiv i imi tani që e di se çfarë kishte ndodhur në atë vend që me të drejtë mund të quhet skenë historike ku çështja shqiptare u ngjallë dhe si një fantazmë e përfshiu gjithë hapësirën shqiptare. Fati i Shqipërisë u ngjall së vdekurish do të thoshte si letrar Naim Frashëri. Në këto kategori mendoja atëherë. Në viset shqiptare flitej për ngjarjet e Prishtinës si për një legjendë. Me 26 mars 1981 iu bashkova masës studentore që protestonte afër menzës së studentëve. Studentët ishin të zemëruar me politikanët shqiptarë që protestës së tyre iu përgjigjen me dhunë policore, por në kërkesat e tyre ende s’kishin depërtuar parullat politike. Nuk e di cila ditë e protestës ka qenë saktësisht, por e kam parë me sytë e mi një student të letërsisë që të tjerët e thërrisnin me emrin Ali- ishte Ali Lajçi që më vonë u bë i njohur jo vetëm mes studentëve-, që hypi në një grumbull dheu dhe u kërkoi studentëve të mos ndaleshin, por të vazhdonin protestën. Më vonë kam lexuar nga njerëz që kanë qenë aty se ai kishte thënë : “Jepni vurmak!“, mirëpo mua s’më ka mbetur asgjë në kujtesë, kështu që nuk mund të themë se çka tha ai në fjalimin e tij të shkurtër, në fakt aq të shkurtër saqë nuk mund të quhet fjalim. Megjithatë, për masën e elektrizuar që kishte nevojë për çdo fjalë, ajo që tha ai u hiperbolizua në një fjalim. Ali Lajçi u kthye në një figurë të epikës tonë, për të flitej me admirimin më të madh dhe me urrejtjen më të madhe, në varësi të atij që fliste. UDB-ja filloi të shpif gjithçka për të. Sot kjo quhet luftë psikologjike, atëherë quhej propagandë. Ç’êshtë propaganda na e tregon Edward Bernays. Në këtë fushatë kundër tij thuhej se ai si bashkëpunëtor i policisë politike nuk ishte fare në burg, por në hotelet më të mira të Jugosllavisë bënte plane e platforma politike kundër atyre që e kishin devijuar rrugën e arsyeshme politike dhe dilnin në protesta kundër një shteti që u kishte dhënë gjithë të mirat. Nuk besoj se këtë mitologji e merrte dikush seriozisht, megjithatë ajo vazhdoi për shumë kohë. Në forma të ndryshme ndoshta deri në vdekjen e Ali Lajçit.

Të mos harrojmë se një tubim i tillë protestues ishte një politikë ndryshe dhe kishte kohë që s’ishte guxuar kurrkush të mblidhte njerëz në hapësirën publike për të thënë diçka që ishte krejt e kundërt me atë që thuhej nga partia në pushtet, kështu që ata që kishin nevojë për protesta çdo gjë e sforconin dhe i jepnin një dimension publik që në fakt s’e kishte për të tjerët që realitetin e shikonin me sy skeptikë. Gjithçka në këtë kohë ishte e dykuptimshme dhe orientimi politik i vështirë. Në fund të fundit, këtu në Prishtinë s’po ndodhte asgjë që nuk kishte ndodhur gjetkë më herët, gjatë historisë. Në Prishtinë atëbotë u pa se potenciali për të shprehur mendimin ndryshe ishte i madh në shoqëri, u pa gjithashtu se pushtimi serb i Kosovës s‘kishte ndryshuar qëndrimin e shqiptarëve ndaj Serbisë. U pa se gjërat objektivisht ishin ndryshe nga ç‘thoshte klika në fuqi. Njerëzit kishin bërë sikur s‘kishte ndodhur asgjë e madhe, në mënyrë që të shmangnin dhunën hakmarrëse të shtetit serb që dikur ushtrohej direkt nga serbët, kurse tani edhe nga shërbëtorët e tyre shqiptarë. Sidoqoftë në ditën e parë të protestës nuk u skaduan parulla politike, por vetëm parulla me kërkesa sociale partikulare që kishin të bënin në rend të parë me jetën studentore, sepse studentët shqiptarë ishin me të drejtë të pakënaqur me trajtimin e tyre, që ishte objektivisht i ndryshëm nga studentët e tjerë në qendrat e mëdha studentore në Jugosllavi. Të rinjtë me të vërtetë kishin të drejtë të protestonin. Në këtë kohë Universiteti i Prishtinës, për kah numri i studentëve, llogaritej si universiteti më i madh në Jugosllavi dhe njëkohësisht universiteti më i ri. Kishte vetëm 11 vjet jetë. Ky fakt nuk i pengoi aspak studentët që të protestonin dhe të manifestonin pakënaqësinë e tyre. Një pjesë e brezit të moçëm në gjithë këtë protestë shihte mosmirënjohjen e studentëve shqiptarë ndaj sundueseve serbë që e „kishin lejuar“ themelimin e universitetit. Në këtë fakt unë pashë sesi shtypja me kohë pranohej si diçka e natyrshme, sesi Shqiptarët s’ishin debitorët, por kreditorët, nëse më lejohet të flasë me gjuhën e kontabilistit. Serbët s’na kishin dhënë asgjë, ata vetëm kishin „pranuar“ diçka që ne e kishim rrëmbyer. Moralisht nuk iu kishim kurrfarë borxhi, përkundrazi, kishin qenë ata që na kishin privuar për një kohë të gjatë nga arsimimi sipëror dhe gjithçka që ndodhte, ndodhte me fajin e tyre. Mes njerëzve qarkullonin fjalë sikur serbët në Beograd kishin thënë se shqiptarëve iu morën pushkët në Aksionin për Mbledhjen e Armëve në vitin 1957 dhe tani, në vitin 1970, po iu japin bombën atomike, Universitetin. Ata e dinin që sundimi i njerëzve të paditur kishte kosto shumë të ulët dhe se shkolla e bënë njerëzit në përgjithësi shumë më kërkuesë. Në Jugosllavinë e krajlit për shqiptarët s’ishte lejuar asnjë lloj shkolle shqipe dhe asnjë formë e organizimit politik kombëtar. Një bashkim politik që u ishte lejuar, Xhemijeti, me frymë fetare, duke qenë se po bëhej gjithnjë e më shqiptar, u ndalua në vitin 1929, pas vdekjes së politikanit kroat, Stjepan Radiqit (Stjepan Radić). Universiteti konsiderohej një luks i madh në qarqet konservatore serbe që përbënin shumicën edhe në Lidhjen Komuniste. Ata vetëm me librezë ishin komunistë, me bindje ishin çetnikë. Tani, në retrospektivë mund të themi atë që atëbotë s’e dinim. Qoftë autonomia politike e Kosovës, qoftë universiteti iu imponuan Titos nga presidenti Nikson (Nixon) gjatë vitzitës së presidentit jugosllav në Washington. Titoja kështu shleu një borxh prej 5 miliardë dollarësh dhe lejoi statusin e ri politik e juridik të Kosovës si krahinë autonome dhe formimin e Universitetit të Prishtinës. Megjithatë kjo gjë nuk guxon të reduktohet vetëm në një dukuri ekonomike, sepse Titoja ishte i ndërgjegjshëm për rrjedhojat politike të këtij akti. Dita e 1 prillit 1981 i mblodhi në rrugë të gjitha shtresat popullore.

Atë ditë mund të thuhet se gjithë banorët e Prishtinës u ngritën në këmbë. Në rrugën kryesore që tani e mbanë emrin e Shën Nënë Terezës ishin mijëra njerëz. Të gjitha rrugët e qytetit ishin mbushur me demonstruesë. Në rrugën kryesore dominonin punëtorët e ndërmarrjeve të mëdha ndërtimore. Unë isha së bashku me një grup veprimtarësh, kryesisht nga rrethina ime. Isha me Enver Topallin, Ramadan Veliun, Rexhep Delollin, Hydajete Osmanin, vajza e Kadri Osmanit, Hafije Gashi, Mirvete Sadiku e ndonjë tjetër që nuk më kujtohet tani. Papritmas një person u ngjit në një dru blini me një megafon në dorë dhe filloi të flasë. Mbante rroba punëtorësh. Fjalimi i tij më bëri përshtypje të madhe dhe u pranua mirë, me entuziazëm nga njerëzit që kërkonin zgjidhje të reja për problemet e vjetra. Masa brohoriste parulla të ndryshme. Disa prej tyre ende më jehojnë në vesh: „Jemi shqiptarë, s‘jemi jugosllavë“, „Kosova punon, Beogradi ndërtohet“ , “Rroftë Adem Demaçi“, “Lironi të burgosurit politikë“, “Republikë, Kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë“ , “Rroftë Republika e Kosovës“, etj. etj. Për mua, ishte hera e parë që dëgjova parulla politike. Më bëri përshtypje të madhe sidomos parulla për Republikën e Kosovës. Një vendas më kishte thënë më herët, dmth. para 1 prillit 1981, se në disa vende në qytet nga masa ishte dëgjuar parulla për Republikën e Kosovës, por unë e pata kundërshtuar, sepse vetë nuk e kisha dëgjuar këtë parullë. Tani që e dëgjova vetë m’u duk se u zgjova nga një përgjumje dogmatike. Thashë se kjo kërkesë ishte me të vërtetë e drejtë, madje nisa ta qortojë veten, pse për diçka të tillë, kaq të vetëkuptueshme s‘kisha menduar kurrë më parë. Ribashkimi i tokave shqiptare, më dukej, i drejtë dhe zgjidhja e vetme e problemit që u krijua me pushtimin serb të tokave shqiptare dhe, pastaj, njohjen ndërkombëtare të këtyre kufijve të vendosur me bajonetat e ushtarëve, por kërkesa për Republikën e Kosovës më tingëlloi si një gjë krejtësisht e realizueshme, duke qenë se si territor dhe si numër popullsia shqiptare në Jugosllavi i plotësonte të gjitha kriteret për një zgjidhje të tillë politike që çonte shkallë-shkallë drejt zgjidhjes finale të drejtë, të bashkimit kombëtar. Natyrisht çështja shqiptare ishte shumë e ngatërruar, por një zgjidhje e mirë e përkohshme që do ta pengonte rrudhjen e mëtejshme të hapësirës sonë etnike, më dukej shumë e drejtë. Dhe kjo zgjidhje e kishte emrin Republika e Kosovës. Sot emri ka mbetur ai i dikurshmi, por me Republikën e Kosovës njëfarë kohë mendohej në përfshirjen e të gjitha viset shqiptare në ish Jugosllavi në një republikë që do të quhej Republika e Kosovës. Oratori që fliste menjëherë u identifikua nga disa demonstruese të anës së Gjilanit aty pranë.

Ata thanë se ai s‘është aspak punëtor, por gazetar dhe emrin e ka Hydajet Hyseni që qëndron ilegal, në mënyrë që t‘i ikë arrestimit. Nuk e di a i tha të gjitha që kishte ndërmend, por ajo që ngjau pak më vonë, ishte e tmerrshme. Një forcë policore që u shfaq papritmas hodhi bomba lotsjellse dhe filloi t’i rrahte me shkopinj gome njerëzit paqësorë që dëgjonin, gjë që masën e kaploi paniku dhe u shpërnda. Se ç’ngjau pastaj me njeriun që mbajti fjalimin, nuk e dija në atë çast, por kisha ndjenjën e turbulltë se ky intervenim i fuqishëm ishte përgatitur dhe mund të kishte përfunduar me arrestimin e tij. Unë ika në banesën time, mblodha gjërat që më duheshin dhe bashkë me disa të tjerë shkuam në Veternik ku morën një autobus për në Ferizaj dhe pastaj nga Ferizaj shkova në shtëpinë time në katund. Gjatë rrugës mendoja për atë demonstratë me të vërtetë popullore dhe i thosha vetes se me shqiptarët kishte ngjarë një mrekulli e madhe. Kurrë më parë s‘e kisha ditur që kishte aq shumë njerëz që e donin ndryshimin dhe shqiptarët në një pozitë tjetër.

Hydajet Hyseni: Perpara drejt fitores vizatimi i vitit 1981

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një rast i rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në…