Si e pritën të burgosurit shqiptarë Vitin e Ri 2000 në Burgun e Sremit

02 janar 2026 | 11:26

Shkruan:Ilaz Gashit

Viti i Ri 2000!
Kam përcjellë shumë motmote që ikin si fleta libri, por asnjëri nuk ka lënë gjurmë aq të thellë sa ai ndërrim mijëvjeçarësh. Ka pothuajse një çerek shekulli që këto kujtime më trokasin te dera çdo fund vit, e unë kërkoj fjalët që nuk i gjeta kurrë, për të përshkruar atë natë që vie një herë në një mijë vjet: Vitin e Ri 2000.

Dita zvarritej neper muret e ftohta e unë e ngrysa atë duke menduar si do ta kalonim këtë natë. Ma rëndoi edhe më shumë fjala e një shokut tonë kur tha ‘’Pha… edhe ndërrimin e mileniumit po e presim në burg, po si e feston krejt bota këtë natë”?

Si çdo ditë në burgun e Mitrovicën e Sremit, mbrëmja erdhi shumë ngadalë. E ftohtë, e errët, me dhimbje e mall e me shpresën se kishim një ditë më pak afër lirimit tonë. Pas darkës së hershme që e hanim në orën 16 po i drejtoheshim të uritur e të mërzitur mesnatës. Bota po numëronte sekondat e fundit të mijëvjeçarit që diku shënonte hyrjen në epokën e re të teknologjisë, diku të demokracisë ndërsa për ne shqiptarët shënonte fundin e një tiranie shekullore e përpjekjeje për liri.

Gjysmështrirë të vendi im po shfletoja fotot e familjes që më kishin ardhur me postë. Mundohesha të vidhja një grimë ngrohtësie nga çdo buzëqeshje e ngrirë në letër, nga çdo rrudhë që tregonte pritjen e tyre. Por errësira rritej jashtë e brenda meje, si një tym i dendur që mjegullonte imazhin e Kosovës sime të largët. Kur ngrita kokën pashë shokët e mi të përmalluar e aq të heshtur sa që dhoma që na mbante 70 burra dukej si muze i vjetër e ne si kujtime të moçme sikur të ishim nga një histori e largët e jo një ditë e zakonshme e jona.

Të shkëputur nga bota pa lajme, pa gazeta dhe me shumë pak informata jasht mureve, shpirtrat tanë fluturonin drejt atdheut e familjeve tona. “Athua si dukej sofra sonte në vatrat tona të shkrumbuara, me vendin tonë bosh? Çka mendonin ata për ne? Si dukej bota e re pa ne të harruarit?

Heshtja na u bë si armik që nuk durohej dot. Në një vend ku koha matet jo me orë e minuta por me rrahje zemre shikonim njëri-tjetrin dhe bënim të njëjtat pyetje pa nxjerrë pikë zëri sikur gjithçka ishte fikur e bota ishte ngrirë rreth nesh…

Papritmas disa krisma automatiku na zgjuan nga ajo kllapi mbytëse. Jashtë gardianët e burgut festonin me pushkë. Pastaj nga dritaret e katit të tretë pamë fishekzjarre që shndriten qiellin e qytetit që ishte ca kilometra më tutje. Sikur donin të na tregonin si me inat se bota jashtë po ndizej flakë e festonte atë që kishte pritur një mijë vjet. Dikush nga ne filloi të këndonte me zë të ulët…të tjerë iu bashkëngjiten atij zëri e njëri nga ne iu afrua derës të dëgjonte mos po vinte ndonjë gardian e na zinte duke ”bërë zhurmë”. Zërat sa vinin e shtoheshin e jehona e këngës tani filloi të godiste muret e gërvishura të qelisë sonë. Kur filloi kënga për Adem Jasharin, edhe djali që ishte afër derës “e lëshoi pikën” e iu bashkua korit. Tanimë as ai e asnjëri nga ne nuk qante kokën a na dëgjonte kush nga rojet apo çka do na gjente më vonë. Duke harruar ku ishim filluam të lëshojmë zërin sikur të ishim në bjeshkët e lira të Kosovës e jo brenda atyre hekurave të ndryshkura si vet sistemi jugosllav. Bota që ndizej jashtë hyri mes nesh e shkëlqimin e atyre fishekzjarrëve tani e shihnim në sytë e njëri-tjetrit. Një gëzim na mbërtheu e ne iu hodhëm në qafë njeri tjetrit duke uruar si të ishim vëllezër që s’ishim parë shumë gjatë. Hekurat e dritareve e atyre dyerve të mallkuara u shkrinë e nuk dukeshin më kur dëgjuam këngë e zëra nga dhomat tjera të cilët festonim bash sikur ne. Edhe pse ndiheshim të harruar nga bota na dukej se zëri ynë grihej lart për të treguar se edhe ne donim të bëheshim pjesë e asaj bote se edhe ne i takonim shekullit të ri. Kënga jonë donte të thoshte se shpresa e besimi ynë nuk ishte i ri, se zërat për liri ishin po aq të vjetër sa ishte edhe pushtimi ynë.

Për çudi askush nga gardianët nuk erdhi për të penguar festën tonë. Sikur edhe ata ishin pajtuar se prapa duhej të linim shekullin e prangave e të ecnim drejt mijëvjeçarit të dinjitetit.

Kur kënga u shua e ne ndaluam së festuari në mënyrën tonë, heshtja u kthye e ftohtë në qelinë tonë dhe balsamoi atë buzëqeshje e flakë gëzimi në fytyrat tona…ndërsa vetëm ne e dinim çka kishim në zemrat tona. Vetëm shpirti ynë e dinte se çka mendonim ne për familjet tona…se si ata na prisnin ne …sa e sa familje kishin humbur gjithë ata familjarë në luftë…sa e sa vende bosh kishte sonte rreth sofrave të përgjakura shqiptare.

Aty kuptova sa e rëndë është pesha e lirisë. Sa mijëra e mijëra tjerë e kishin kaluar para nesh e sa të pakët kishim mbetur ne për ta bartur këtë peshë të rëndë në metrat e fundit drejt finishit të maratonës shekullore. Edhe pse shpesh e shihja veten e shokët si fatzi, tani më dukej sikur vërtetë ishim me fat, me fat që do të dilnim triumfues drejt vendit tonë të lirë dhe se ne do të ishim të fundit nga burgu i fundit për shqiptarë.

Sonte kur kujtoj atë natë, kujtoj që liri nuk ishte vetëm dalja nga burgu, por guximi për të ngritur zërin secili në mënyrën, kohën dhe mundësinë e vet atëherë kur donin që ne të mbyteshim në heshtjen tonë. Sonte, në këtë qerek shekulli lirie, unë i kthehem asaj nate jo për të kërkuar keqardhje, por për të nderuar ata që nuk ia dolën të mbijetonin torturat dhe mizoritë barbare serbe ndër dekada. Të kujtoj ata që s’arritën të kthehen kurrë në sofrat e tyre por hynë përjetësisht në palcën e qëndresës, durimit e respektit kombëtar. Dua që t’ua sjellë në mendje atyre që gjeten lirinë në djep që lirinë nuk na e fali askush, t’iu kujtoj që ka pak popuj në këtë glob që kanë luftuar 100 vjet për liri. Dua t’ju kujtoj që pavarësisht dekadave e shekujve që lamë pas ne kemi mbetur shqiptarë përmes zjarrit e burgjeve dhe do të mbetemi të tillë, sepse rrënjët tona janë më të thella se çdo plagë që mundët të shkaktojë armiku që nuk ndalet se qeni armik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me numërimin e votave…