Si e pushtuan vampirët, Perëndimin

14 nëntor 2025 | 08:36

Nga: Simon Ings / The Telegraph

Shën Kutberti jetoi në ishullin Lindisfarn duke u ushqyer me qepë të gjalla dhe vdiq në vitin 687. Katër shekuj më vonë, arkivoli i tij u hap dhe trupi i tij i ekspozuar dukej, për të gjithë, si një njeri i gjallë. Disa e shpallën menjëherë për mrekulli, por arkeologu dhe medievalisti John Blair nuk përmbahet pa pyetur: “A mund të ketë ngjallur brenga një kufomë që dukej si e gjallë”?

Sipas Blairit, përmbledhja gjithëpërfshirëse e të vdekurve të gjallë ishte projekt të cilin e ruajti për pensionim. Vrasja e të vdekurve [Killing the Dead] është rezultati i një jete të tërë mbushur me thesare djallëzie; qasja e Blairit ndaj kësaj i afrohet – dhe kush mund ta fajësojë? – një kënaqësie heretike. Si të mos tërhiqesh nga diskutimet mbi “mumiet dhe gratë-hiena epshore” të Kinës, apo nga titujt e kapitujve si “Të shtrirë të pavdekur në një hendek: Angli, 700-1000”?

Duke na bartur nga paniku për kufomat në Mesopotami deri në Pensilvani dhe Anglinë e Re, historia e Blairit ndjek pyetjen: a janë të vdekurit e gjallë një histori që ia tregojmë njëri-tjetrit, apo një fenomen i vërtetë? A është thjesht histeri ajo që duhet të fajësohet kur fshatarët nisen në një valë të vrasjeve të kufomave?

 “Vampiri (Dashuria dhe Dhimbja)” nga Edvard MunchBurimi: Fine Art Images

Injorantët do ta quajnë “mashtrim”, meqë titulli përmend vampirët, ndërkohë që libri përfshin të gjitha llojet e të vdekurve të gjallë. Por, Blairi mendon se vampirët, ashtu siç kuptohen zakonisht, janë një shpikje letrare dhe relativisht e re. Romani ynë i parë i vërtetë për vampirët është pamfleti i viti 1600, tani i humbur, që përmban tregimin e bujshëm për Johan Kuncin e Benishit. Të gjithë e dinë se vampirët janë sllavë, por, thotë Blair, diskutimet historike mbi fenomenin “e kanë theksuar në mënyrë të tepruar pirjen e gjakut”.

Rezulton se që nga shekulli VIII para Krishtit, neo-asirianët besonin se të vdekurit kishin nevojë për ushqim (ujë, birrë, hurma), dhe se shqetësoheshin kur injoroheshin. Qëndrimi i tyre goxha i matur kaloi në Greqi dhe që andej në Romë ku është përzier me disa ide, nga vendet aziatike, që besonin se të vdekurit merrnin formën e përbindëshave grabitqarë që ndryshonin në formë.

 “Vampiri”, nga Henry Louis Stephens, marrë nga “Historia e natyrshme komike e racës njerëzore” (1851)Burimi: Heritage Art

Këto rrjedha folklorike u shtrembëruan dhe u errësuan teksa shkonin drejt Veriut, duke krijuar disa përbindësha madhështorë islandezë.

Kolonizimi skandinav i përhapi këta “hakmarrës të stilit viking” në të gjithë Evropën Veriore, ku formësuan besimet në Gjermaninë e Veriut, në Poloni dhe në Bohemi. “Një epidemi intensive e vrasjes së kufomave shpërtheu gjatë viteve 1546-1553, në një sërë qytetesh të vogla saksone”, nxitur, siç duket, nga shpërthimet e përsëritura të murtajës bubonike.

Në mars të vitit 1732, fshatarët në Serbi zhvarrosën disa kufoma dhe, duke i parë të freskëta dhe të fryra nga gjaku, i masakruan dhe i dogjën. Autoritetet ushtarake të habsburgëve hetuan dhe hartuan një raport që, së bashku me fjalën “vampir”, përfundoi në gazeta që nga Parisi deri në Londër. Pra, edhe pse vampirët janë më të rinj sesa mendojmë, nuk ka nevojë për zhgënjim: prejardhja e tyre është shumë më e pasur dhe më e ndryshme nga sa kemi mundur të paramendojmë ndonjëherë.

Por, çfarë i thërret të vdekurit e gjallë? Ata përhapen disi, kjo është e vërtetë, por nuk janë dukuri e përditshme. Në momentin e vetëm të paqartë të librit, Blairi thotë se shfaqjet e tyre “ndizen nga qëndrimet, perceptimet dhe frika që nuk janë automatike, por burojnë nga variablat shoqërore, ekonomike, politike, fetare dhe kulturore”. Kjo përkthehet në diçka mjaft të thjeshtë: rrethana të çuditshme lindin mendime të çuditshme. Luftërat, murtajat dhe polemikat fetare – të gjitha mund të ndikojnë që të dridhen muret midis të gjallëve dhe të vdekurve.

 Një ilustrim nga botimet e lira të popullarizuara, “Vampiri Varni dhe festa e gjakut”Burimi: Hulton

Dhe, pleqnarët diktatorialë mund të krijojnë një çudi të veten. Një matriarke rumune, shumë autoritare, qëndroi pezull jashtë dritares së të birit, me qefinin e saj të varrimit, për të shprehur mospëlqimin për martesën e tij. Komenti i djalit: “Njerëzit e dinin që nëna ime ishte e fortë dhe se gjykimi i saj ishte një barrë e rëndë për t’u përballuar. E dinin që ajo mund të kthehej”.

Këto ditë ne e konsiderojmë vdekjen si një ngjarje të vetme – ironike, me të vërtetë, duke qenë se mjekësia jonë na përball shpesh me proceset e vdekjes. Shoqëritë e mëhershme nuk kishin njohje të madhe për komën, anoksinë, vdekjen cerebrale dhe gjendjet vegjetative, por ato qëndronin shumë më afër realitetit (dhe ofronin më shumë ngushëllim për të pikëlluarit) nëse e shihnin vdekjen si një proces, jo si një ngjarje. “Ndalimi i frymëmarrjes, shtrirja, faza kalimtare gjatë ceremonisë, varrimi dhe kalbëzimi fizik që pason janë hapa në një rrugë që duhet ndjekur me përpikëri”, thotë Blair për ato rite – i vetmi problem është se “nëse ajo rrugë pengohet, pasojat mund të jenë të tmerrshme”.

Përveç kur nuk janë. Fundja, trupi më i paharrueshëm i ringjallur i përket një vizionari fetar të dashur dhe ende të nderuar që u ngrit dhe la varrin e tij pasi vdiq. Jezu Krishti, sidoqoftë, gjithashtu arriti, në një stil goxha vampirik, të kalonte përmes gurit që mbante mbyllur varrin e tij. Nuk është për t’u habitur që disa nga të krishterët e parë “e panë si problem ringjalljen trupore”.

Megjithatë, Blairi është më pak i interesuar për të gjetur të metat në atë që njerëzit panë; ai është më i interesuar për mënyrën se si njerëzit interpretuan atë që panë, dhe çfarë thotë kjo për idetë e tyre rreth jetës në përgjithësi. Në shoqëritë shamane, shpirtrat e rrjedhshëm lëviznin lirshëm brenda dhe jashtë materies: të jesh i gjallë do të thotë të jesh i pushtuar. Të krishterët dhe myslimanët e dërgojnë shpirtin e të vdekurit në vende të ndryshme hyjnore, ndaj mund të shpjegojnë ringjalljen vetëm përmes veprimeve ngacmuese të agjentëve jashtëtokësorë – dhe me shumë gjasa djallëzorë.

Në fund të fundit (dhe disi në mënyrë të pabesueshme), historia e vampirit nga Blairi ofron frymëzim dhe ngushëllim. Të zhvarrosësh të vdekurit dhe t’ua presësh kokën me lopatë hekuri, kjo padyshim është një punë makabre, por shumë më pak e neveritshme sesa ta trajtosh një njeri të gjallë në të njëjtën mënyrë. Blairi argumenton bindshëm se vrasjet e kufomave janë parandaluese ndaj llojeve të histerisë në masë, që përndryshe djegin shtriga apo fusin fëmijë në furrë. “Si rituale të tjera ekstreme, është shqetësuese në momentin e ndodhjes, por njerëzit ndihen mirë pas saj”, është përfundimi i shkujdesur i Blairit: vrasja e kufomave është “normale”.

Blair na udhëheq nëpër lugina të panumërta tmerri dhe na nxjerr përsëri duke u dridhur, por të padëmtuar, madje të ndriçuar me elanin e Uili Uonkës së Gene Wilderit (i cili, tani kur po mendoj, ishte një tjetër pensionist i rremë). Nuk kërkoj ndjesë – nëse nuk e jap unë këtë lëvdatë, kush do ta bëjë këtë? – por Vrasja e të vdekurve është një libër për të cilin vlen të vdesësh. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ukraina ka publikuar të enjten pamje të raketave të saj…