
Si e trashëgoi veprimtarinë ilegale? / Rrëfen i burgosuri i fundit politik i ish-Jugosllavisë
Naser Krasniqi, i burgosur politik gjatë periudhës së vitit 1987, ka rrëfyer në “Politiko” për lëvizjet ilegale, pjesë e së cilës ka qenë edhe ai.
Krasniqi ka thënë se veprimtarinë ilegale e ka nisur në vitet e 70-ta dhe se atë e ka trashëguar nga babai i tij, ndërsa ka theksuar se qëllimi i tyre ka qenë për ta njoftuar popullin shqiptar në Kosovë për çështjet kombëtare.
“Baba më ka vdekur në vitet e 80-ta. Një javë para vdekjes më ka lënë amanet që të trashëgojë veprimtarinë e tina. Edhe unë prej viteve të 80-ta kam vazhdu me të njëjtat kontakte që ka pasë baba im”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka rrëfyer se si babai ia ka lënë amanet veprimtarinë.
“Ishin ditët e fundit të jetës së tina. Na jemi gjashtë vllazën dhe tri motra, më thirri në dhomë e më tha që këtë punë me vazhdu ti për arsye se vllau i madh le të kujdeset për familjen se një ditë ti munesh me u arrestu. Ti e vazhdon veprimtarinë më tha dhe vllau kujdeset për pjesën tjetër të familjes”, ka rrëfyer Krasniqi.
Tutje, ai ka theksuar se pas ceremonisë së varrimit të babait, ka shkuar për herë të parë në Stamboll.
I pyetur se kush kanë qenë kontaktet e para të asaj periudhe dhe rolin e Konsullatës së Shqipërisë në Stamboll, Krasniqi ka rrëfyer se kontaktet e para i ka pasur me Sali Kollorën, i cili ka qenë i ndjekur politik dhe ka vazhduar aktivitetin e tij ilegal kundër sistemit jugosllav derisa ka vdekur.
“Unë e kam kontaktu ata edhe kemi shku direkt në Konsullatën e Shqipërisë në Stamboll në vitet e 80-ta. Prej vitit 1980 deri në vitin 1986 kam shkuar për çdo vit atje. Kam pasë kontakte me shumë personalitete atje”, ka rrëfyer Krasniqi.
I pyetur për emrat e personave të tjerë që ka pasur kontakte, Krasniqi ka përmendur Ragip Hoxhën dhe Idajet Gorën.