Si identifikohen gjurmët e gishtërinjve nga skena e krimit?
Dy ekspertë e Divizionit të Daktiloskopisë nga Agjencia e Forenzikes, Flurim Sahitaj dhe Avni Dragobuzhda, e kanë kaluar me sukses testin ndërkombëtar profesional “Latent Print Processing”, duke treguar sukses maksimal ndër gati 100 shtete pjesëmarrëse. Aftësitë të cilat i dëshmojnë çdo ditë në shërbim të zbardhjes së krimeve në Kosovë, i sjellim në reportazhin në vazhdim.
Armë, gëzhoja të plumbit, njolla të gjakut, e shenja të gishtërinjve, pista që hetuesit i ndjekin për ta zbardhur krimin.
Megjithatë, pa ndihmën e ekspertëve nga Agjencia e Forenzikes, provat vështirë se mund t’i dalin në krah drejtësisë.
Krim perfekt pa asnjë gjurmë nuk ka, dhe eksperti Flurim Sahitaj është gjithnjë i gatshëm që ta dëshmojë këtë konstatim të njohur në botën e krimit.
Divizioni i Daktiloskopisë në Agjencia e Kosovës për Forenzikë është habitati i tij i punës.
Puna nis në momentin që provat arrijnë në laborator, vendi i gjurmës lokalizohet, pastaj nis dokumentimi.
“Pas vendosjes së provave dhe testit, e shohim e vendosim sasinë e ujit që është e nevojshme edhe e vendosim në këtë formën e aluminit e vendosim këtë enën e aluminit këtu, ku vendoset cianokrilati…”, ka deklaruar Flurim Sahitaj – Ekspert Forenzik për Daktiloskopi.
I gjithë procesi zgjatë 45 minuta.
‘Së pari bëhet nxemja është me parametra e rregulluar nxehja e ajrit, pastaj nxehja e cianokliratit apo super ngjitësit, dhe në fund bëhet ajrosja…”, ka theksuar Sahitaj.
Secila nga tri fazat e do kohën e saj, të paktën 15 minuta.
Më pas, gjurmët procesohen, dhe nëse gjithçka shkon sipas planit, të dhënat përcillen për në databazën kryesore.
“…dhe si e tillë kjo mund të krahasohet me kryerësit e veprave penale të cilët janë të skenuar dhe të regjistruar në databazën e afisit që ne i themi databaza e gjurmëve të gishtërinjve…”, ka deklaruar ai.
Flurim Sahitaj bashkë me ekspertin tjetër, Avni Dragobuzhdën, në mesin e gati 100 shteteve, me sukses të jashtëzakonshëm e kaluan testin prestigjioz ndërkombëtar në fushën e daktiloskopisë “Latent Print Processing”.
Ekspertët e Agjencisë së Forenzikes i nxorën me 100% sukses, gjurmët e gishtërinjve nga plastika, qeramika e metali, mjete pa pore që nuk e thithin gjurmën, por tek të cilat gjurma e kryerësit të krimit mbetet nga gishtërinjtë që djersiten.



