Si ishte jeta e një veterani kroat

19 gusht 2025 | 11:21

Shkruan: Nehat Duraku

Së bashku me disa nipa nga Rahoveci, shkuam në Kroaci, në qytetin e Gospićit, për të vizituar vendet ku kishte jetuar dhe luftuar heroi Xhelal Hajda-Toni.

Aty u pritëm nga disa shqiptarë dhe kroatë bashkëluftëtarë të komandant Tonit. Më pas vizituam edhe vendet e luftimeve në atë zonë, ku na kishin organizuar një drekë për nder të shokëve të Xhelal Hajdës dhe familjarëve të tyre, me një mikpritje vëllazërore.

Xhelal Hajda ishte një shqiptar që kishte fituar respekt të madh në atë vend dhe ishte i njohur nga të gjithë, pasi kishte qenë pjesë e grupit “Vukovi” – Ujqit, një nga grupet që ishin bërë tmerri i ushtrisë serbe.

Ai ishte plagosur rëndë dhe ishte shpallur invalid lufte në Kroaci, pasi kishte qenë një nga komandosët që kishte marrë pjesë edhe në tërheqjen e kufomës së Miro Barishiq, dhjetëra kilometra në territorin e kontrolluar nga ushtria serbe.

Pas luftës në Kroaci, në vitin 1995, Toni u zhvendos në Gjermani për të jetuar dhe punuar. Por në mars të vitit 1998, ai u kthye për t’iu bashkuar luftës së UÇK-së, ku edhe ra dëshmor më 6 nëntor 1998.

Sot… si e pashë jetën e një veterani kroat?

Shumica kishin vdekur. Disa kishin bërë vetëvrasje. Të tjerë, nga vuajtjet e luftës dhe nga mosha, ishin të sëmurë.

Kur e pashë një prej tyre duke hipur në makinë e duke vozitur me birrën në dorë, thashë me vete: “Si nuk e ndalon policia?”

Më thanë: “Policia nuk e ngacmon, por as të tjerët. E lënë të qetë, që të mos i prishin botën e tyre me kujtime të luftës”.

Ai veteran kishte respekt të madh. Konsiderohej si njeri që kishte sjellë lirinë. Këtë e vura re edhe te Mihovili – jeta e tij përbëhej nga ngrënia, pirja dhe kujtimet e luftës.

Shtëpia e tij ishte plot me bluza, simbole dhe emra nga lufta – brigada, grupe diversante, e të tjera. Ai nderon dëshmorët dhe kënaqet kur takon familjarët e tyre apo ish-shokët e luftës. Jeta e tij kishte mbetur aty – në luftë. Asgjë nuk kishte ecur përpara.

Ndërkohë, brezat e rinj që janë rritur në liri, falë këtyre veteranëve, nuk do ta kenë jetën të lidhur me luftën e as me traumat e saj. Ata do të jetojnë ndryshe, sepse dikush tjetër, në një kohë tjetër, sakrifikoi për ta.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës i ka kërkuar Gjykatës Themelore në…