Si iu vendos gjoba konsullit rus në Mitrovicë nga një bandë shqiptare?

08 maj 2025 | 08:20

Nga: Hasan Bello

Një nga sfidat kryesore me të cilat përballeshin autoritetet osmane në vilajetet shqiptare, ishte mungesa e rendit dhe sigurisë publike. Me dobësimin e institucioneve shtetërore, në shumë zona vepronin banda të armatosura që angazhoheshin në grabitje dhe vendosje gjobash. Kjo situatë ishte kthyer në një shqetësim serioz, jo vetëm për përfaqësuesit e huaj, por edhe për vetë banorët e krahinave ku bandat ushtronin aktivitetin e tyre.

Kjo çështje iu paraqit për shqyrtim edhe Komisionit të Reformave, i kryesuar nga ministri i Brendshëm, Haxhi Adil Beu. Në fillim të vitit 1912, ai ndërmori një inspektim në të gjitha qytetet shqiptare, me qëllim forcimin e rendit dhe sigurisë.

Gjatë kësaj periudhe, u ndërmorën disa aksione konkrete, ndër të cilat më i rëndësishmi në zonën e Mitrovicës ishte ai kundër bandës së Zejnel Ibrahimit. Kjo për dy arsye kryesore: së pari, sepse ndaj kësaj bande kishte ankesa jo vetëm nga banorët vendas, por edhe nga Hafiz Hysni Efendiu, një çifligar i njohur nga Vuçiterni i cili ishte anëtar i Komitetit Xhonturk; së dyti, për shkak të një akti të pashembullt – banda kishte guxuar t’i përcillte një paralajmërim verbal konsullit rus në Mitrovicë, Sabacov, duke i kërkuar pagesën e një gjobe prej 200 lirash turke. Në të kundërt, në mesazh thuhej se brenda pak ditësh “do t’i ndodhte diçka e keqe”.

Sipas Sabacovit, ky ishte paralajmërimi i tretë që merrte nga e njëjta bandë, dhe si pasojë kishte filluar të ndihej i frikësuar. Nuk përjashtohet mundësia që për këtë ai të ishte ankuar edhe te ministri i Brendshëm.

Në aksionin për eliminimin e kësaj bande morën pjesë një numër prej gjashtëdhjetë forcash, disa prej të cilëve mbetën të vrarë e të plagosur. Kjo për shkak se banda ishte strehuar në një kullë të fortifikuar, siç edhe ishin ndërtesat karakteristike shqiptare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Vedat Kokona (1913-1998), pjesë nga kujtimet Endur me tisin e…