Si mund ta marrë Trumpi Groenlandën me 4 hapan
Qëllimi i shprehur i SHBA-së për të “blerë Groenlandën” ka shkaktuar trazira të reja globale, ku një zëdhënës të Shtëpisë së Bardhë që deklaroi të martën se “përdorimi i ushtrisë amerikane është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”.
Megjithëse Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, u përpoq të minimizojë këtë mundësi duke siguruar se SHBA synon ta blejë Groenlandën dhe se deklaratat e fundit nuk duhet të interpretohen si paralajmërim për ndërhyrje ushtarake, “zjarri” nuk është shuar. Politico përpiqet të përshkruajë se si SHBA mund ta përvetësojë në katër hapa ishullin, i cili është territor autonom i Danimarkës.
Siç shkruan media evropiane, “ajo që shqetëson evropianët është se strategjia e Trump-it i ngjan shumë planit ekspansionist të Vladimir Putinit”.
POLITICO ka folur me nëntë zyrtarë të BE-së, anëtarë të NATO-s, ekspertë të mbrojtjes dhe diplomatë për të shqyrtuar se si mund të zhvillohet një pushtim amerikan i ishullit arktik, i pasur me minerale dhe me rëndësi strategjike. “Mund të jenë pesë helikopterë… nuk do të duheshin shumë forca ushtarake”, tha një politikan danez që kërkoi të mbetet anonim. “Groenlandezët nuk do të mund të bënin asgjë”.
Hapi 1: Fushatë për forcimin e lëvizjes për pavarësinë e Groenlandës
Pothuajse menjëherë pas marrjes së detyrës, administrata Trump nisi të flasë për pavarësinë e Groenlandës. Një Groenlandë e pavarur do të mund të nënshkruante marrëveshje me SHBA-në, ndërsa nën status quo-në aktuale nevojitet miratimi i Kopenhagës.
Për të fituar pavarësinë, groenlandezët duhet të votojnë në një referendum dhe më pas të negociojnë një marrëveshje që duhet të miratohet si nga Nuuk (kryeqyteti i Groenlandës), ashtu edhe nga Kopenhaga. Në një sondazh të vitit 2025, 56% e groenlandezëve u shprehën se do të votonin pro pavarësisë, ndërsa 28% kundër.
Sipas raportimeve të mediave daneze, amerikanë me lidhje me Trump kanë kryer operacione të fshehta ndikimi në Groenlandë, ndërsa shërbimi danez i sigurisë ka paralajmëruar se territori “është objektiv i fushatave të ndryshme të ndikimit”.
Felix Kartte, ekspert i politikave digjitale që ka këshilluar institucione dhe qeveri të BE-së, vuri në dukje taktikat e Moskës për të ndikuar në rezultatet politike në vende si Moldavia, Rumania dhe Ukraina.
“Rusia kombinon taktika offline dhe online”,tha ai. “Në terren bashkëpunon me aktorë aleatë, si parti ekstremiste, rrjete të diasporës ose oligarkë proruse, dhe raportohet se paguan individë për të marrë pjesë në protesta kundër BE-së ose SHBA-së. Njëkohësisht, ajo krijon rrjete të mëdha llogarish të rreme dhe pseudo-media për të forcuar këto aktivitete online dhe për të promovuar kandidatë ose qëndrime të zgjedhura.
Qëllimi shpesh nuk është të bindë votuesit se një opsion prorus është më i mirë, por ta bëjë atë të duket më i madh, më i fortë dhe më popullor sesa është në të vërtetë, duke krijuar ndjesinë e pashmangshmërisë”.
Në Groenlandë, SHBA duket se po aplikon të paktën disa nga këto metoda.
Stephen Miller, zëvendësshefi i stafit të Trump-it, deklaroi të hënën në CNN se “askush nuk do të luftojë ushtarakisht kundër SHBA-së për të ardhmen e Groenlandës”. Muajin e kaluar, Trump krijoi postin e të dërguarit special për Groenlandën dhe emëroi guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry, në këtë rol, duke deklaruar se qëllimi është “ta bëjë Groenlandën pjesë të SHBA-së”.
Ndërkohë, nënpresidenti amerikan J.D. Vance, gjatë vizitës së tij në Groenlandë në mars, deklaroi se “populli i Groenlandës do të ketë vetëvendosje. Shpresojmë që ata të zgjedhin të bashkëpunojnë me Shtetet e Bashkuara, sepse ne jemi i vetmi vend në planet që do të respektojë sovranitetin dhe sigurinë e tyre”.
Hapi 2: Ofrimi i një marrëveshjeje të favorshme për Groenlandën
Nëse përpjekjet për të përshpejtuar referendumin për pavarësi japin rezultat dhe banorët votojnë për t’u shkëputur nga Danimarka, hapi tjetër do të ishte vendosja e Groenlandës nën ndikimin amerikan.
Një metodë e dukshme do të ishte integrimi i Groenlandës në SHBA si një shtet i ri, një ide që bashkëpunëtorët e ngushtë të presidentit e kanë shqyrtuar vazhdimisht. Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, u detyrua të deklarojë të hënën se “SHBA nuk ka të drejtë të aneksojë Groenlandën”, pas publikimit nga Katie Miller, bashkëshortja e Stephen Miller, të një harte të territorit me flamurin amerikan dhe fjalën “SË SHPEJTI”.
Një shkëmbim i drejtpërdrejtë nga Danimarka te SHBA konsiderohet i papranueshëm për shumicën e popullsisë. Një sondazh tregoi se 85% e groenlandezëve kundërshtojnë që ishulli të bëhet pjesë e SHBA-së, madje edhe brenda lëvizjes për pavarësi ka skepticizëm. Megjithatë, ekzistojnë alternativa të tjera.
Që nga maji i kaluar, qarkullojnë raportime se administrata Trump dëshiron që Groenlanda të nënshkruajë një Marrëveshje të Asociimit të Lirë (COFA), si ato që SHBA ka me Mikronezinë, Ishujt Marshall dhe Palau. Sipas këtyre marrëveshjeve, SHBA ofron shërbime bazë, mbrojtje dhe tregti të lirë, në këmbim të pranisë së pakufizuar ushtarake.
Kuno Fencker, deputet opozitar groenlandez pro pavarësisë, deklaroi se “ne nuk duam të bëhemi si Porto Riko apo ndonjë territor tjetër amerikan. Por një marrëveshje e asociimit të lirë, marrëveshje dypalëshe apo forma të tjera bashkëpunimi, le të vihen në tryezë dhe groenlandezët do të vendosin me referendum”.
Duke iu referuar deklaratës së Trump se SHBA “ka nevojë” për Groenlandën, Fencker shtoi se “Danimarka kurrë nuk ka thënë se ‘ka nevojë’ për Groenlandën. Ka thënë se jemi një kosto dhe se do të na braktisë nëse bëhemi të pavarur”.
Nga ana tjetër, Thomas Crosby, profesor i asociuar i operacioneve ushtarake në Kolegjin Mbretëror Danez të Mbrojtjes, paralajmëroi se Groenlanda vështirë se do të dalë fituese në një negociatë me Trump-in.
Hapi 3: Fitimi i mbështetjes së Evropës
Evropa, veçanërisht aleatët e Danimarkës në BE, do të reagonin ndaj çdo përpjekjeje për shkëputjen e Groenlandës. Megjithatë, SHBA ka një kartë të fortë: Ukrainën.
Një skenar i mundshëm, sipas një diplomati të BE-së, do të ishte një marrëveshje e gjerë “siguri për siguri”, ku Evropa do të merrte garanci më të forta për Ukrainën, në këmbim të një roli më të madh amerikan në Groenlandë.
Hapi 4: Pushtimi ushtarak
Po nëse Groenlanda ose Danimarka, thotë “jo”?
Sipas ekspertëve, një pushtim ushtarak amerikan do të ishte relativisht i lehtë. SHBA tashmë ka prani ushtarake dhe Groenlanda ka mbrojtje minimale.
Sipas studiuesit Lynne Mortensgaard, SHBA mund të marrë kontrollin e Nuuk “brenda gjysmë ore ose më pak”.
Një pushtim i tillë nuk do të kishte bazë ligjore dhe do të nënkuptonte “fundin e NATO-s”, sipas ekspertëve, duke shkaktuar humbje të mëdha besimi dhe pasoja serioze për sigurinë globale.
Megjithatë, për momentin, aleatët e NATO-s mbeten të qetë. “Jemi ende larg këtij skenari”, tha një diplomat i lartë i aleancës. “Mund të ketë negociata të vështira, por nuk mendoj se jemi pranë një aneksimi armiqësor”.



