Si mund të reflektohet në Kosovë fundi i konflikti në Ukrainë?

19 shtator 16:34

Fundi i konfliktit në Ukrainë, mund të hapë “kutinë e Pandorës” edhe në Ballkan dhe kjo sidomos mund të jetë si rezultat i “pazareve nën tavolinë” që mund të bëhen pas përfundimit të këtij konflikti. Nëse Rusia del e humbur në këtë konflekt, gjasat janë shumë reale që tokat e pushtuara nga rusët t’i rikthehen Ukrainës dhe kjo mund të trimërojë makinerinë ushtarke e politike të Beogradit për ndonjë mësymje ndaj Kosovës, duke provuar të kompensojë humbjet ruse në terren

Shkruan: Mehmet PRISHTINA

Dërgimi i kaq shumë emisarëve në Kosovë dëshmon se ende nuk e ka një politikë të unifikuar të botës perëndimore kundrejt çështjeve të pambyllura në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo edhe për fajin e vet politikës kosovare e cila ka mangësi të shumta në ruajtjen e kontinuitetit dhe konzistencës politike ndaj qasjeve arrogante të Serbisë.
Vëzhgues të shumtë perendimorë, megjithatë kanë parlajmëruar se pas përfundimit të zhvilimeve në Ukrainë mund të pritet ndonjë kthesë dramatike në raportet Kosovë-Serbi. Kjo është edhe arsyeja që në opinion po qarkullojnë plane e ide të ndryshme që hedhin dritë mbi arritjen e mundshme të një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ditë më pare, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur se diplomatët evropianë kanë propozuar “kornizë të re” për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Mediat në Prishtinë kanë siguruar një kopje të pretenduar nga kjo “kornizë të re” e marrëvesshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku në pikën e parë potencohet se “Një normalizim substancial i raporteve duhet të arrihet deri në mes të vitit 2023”. Më pas vazhdohet me pikën e dytë. “Kosova dhe Serbia janë dy realitetet të ndara legale dhe politike që duhet të njihen si të tilla nga të gjitha palët në procesin e dialogut. ‘Të gjitha palët’ janë Prishtina (Kosova), Beogradi (Serbia) dhe Brukseli (BE, që nënkupton të gjitha shtetet e BE-së, përfshirë edhe jo njohësit)”. Kurse pika e tjetër sqaron pozicionin e Serbisë. “Serbia nuk do të jetë e gatshme t’i bashkohet BE-së pa një normalizim komplet të raporteve politike, legale dhe diplomatike me Kosovën. Gjithsesi, duke pasur parasysh që pranimi i Serbisë në BE është akoma larg, në këtë fazë, Serbisë nuk do t’i kërkohet që ligjërisht ta njohë Kosovën”. Ky pozicion është rrjedhojë e faktit që, aktualisht, BE-ja nuk është e gatshme as të shqyrtojë një anëtarësim të përshpejtuar për Serbinë, rrjedhimisht edhe për vendet tjera të Ballkanit perëndimor.
Mund të mos ketë asgjë nga ky dokument i përfolur i cili po qarkullon në media, por ajo që po duket shumë qartë ka të bëjë me interesimin e shtuar të diplomatëve ndërkombëtarë për ta mbyllur hendekun e hapur që qëndron në mes të Kosovës dhe Serbisë. Por, ky hendek, sipas diplomatëve ndërkombëtarë, nuk mund të mbyllet duke lënë hapur plagët që shkaktojnë “hemoragji” të reja në raportet midis dy vendeve. Ata parasegjithash aludojnë në zgjidhjen e problemit të pakicës serbe në Kosovë, e cila duhet të ketë një trajtim të posaçëm dhe madje përtej Pakos së Ahtisarit.

Por si mund të mbyllet një plagë, nëse Serbisë i lejtohet të hapë plagë të reja në trupin e Kosovës?
Përgjigja në këtë pyetje në fakt është thelbi i qasjes që duhet ta kenë edhe diplomatët ndërkombëtarë edhe klasa politike e Kosovës. Ajo çka druajnë me të drejtë autoritetet shtetërore të Kosovës, është frika nga bosnjizimi, si model defaktorizues për shtetin e Kosovës. Nëse në Bosnjë e Hercegovinë bashkësia ndërkombëtare u tregua e pafuqishme të pengojë prirjet fragmentuese të serbëve, kush mund të grantojë se të njejtat prirje të mos përsëriten edhe në Kosovë?
Fundi i konfliktit në Ukrainë, mund të hapë “kutinë e Pandorës” edhe në Ballkan dhe kjo sidomos mund të jetë si rezultat i “pazareve nën tavolinë” që mund të bëhen pas përfundimit të këtij konflikti. Nëse Rusia del e humbur në këtë konflekt, gjasat janë shumë reale që tokat e pushtuara nga rusët t’i rikthehen Ukrainës dhe kjo mund të trimërojë makinerinë ushtarke e politike të Beogradit për ndonjë mësymje ndaj Kosovës, duke provuar të kompensojë humbjet ruse në terren.
Ekspertët e fushave të sigurisë dhe të politikës ndërkombëtare e kanë hedhur poshtë pretendimin e Putinit i cili ka thënë se republikat e Donbasit – siç njihen bashkërisht Donjecku dhe Luhansku – kanë vepruar njësoj si Kosova me shpalljen e pavarësisë. “Është fakt që shumë shtete perëndimore e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ne e kemi bërë të njëjtën gjë me republikat e Donbasit”, ka thënë Putini më 26 prill, sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca ruse.
Megjithatë, Kosova i plotëson kriteret për të qenë shtet i pavarur, ndryshe nga rajonet separatiste të Ukrainës, Donjeck dhe Luhansk, thonë njohësit dhe ekspertët e të Drejtës Ndërkombëtare.
Një argument shtesë që hedhe poshtë pretendimet e Putinit është edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e cila ka konstatuar në vitin 2010 se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar. Kjo ka ndikuar që shtetësinë e Kosovës ta njohin deri më tash më shumë se 100 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Evropian.
Për të mbështetur këto argumente, vjen edhe interpretimi shterrues i profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit, Richard Caplan, i cili thotë se ndërhyrja e NATO-s, për t’i dhënë fund dhunës së ushtrisë serbe në Kosovë, ka pasur përkrahje të madhe, ndryshe nga rasti i Donbasit.
“Më 1999, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – përfshirë Rusinë – ka thënë se ekziston një krizë e pashmangshme humanitare në Kosovë. Kjo nuk do të thotë se Rusia ka pranuar përdorimin e forcës nga ana e NATO-s. Rusia qartazi e ka kundërshtuar këtë gjë, mirëpo këtu qëndron dallimi… sepse për Donbasin nuk thuhet se minoriteti rus atje është duke u rrezikuar apo ka qenë në rrezik nga Qeveria e Ukrainës”, thotë Caplan për Radion Evropa e Lirë.
Por, a mjaftojnë vetëm argumentet të jenë në anën tonë, nëse Kosova nuk e ka një mbështetje të sigurt nga bashkësia ndërkombëtare?
Kërcënimeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, i është kundërpëgigjur misioni paqeruajtës i NATO -s – KFOR.
“Numri dhe kohëzgjatja e patrullimeve rutinore në të gjithë Kosovën, përfshirë Kosovën veriore, është rritur,” tha një zëdhënës i Aleancës për gazetën gjermane BILD.

KFOR po monitoron “situatën në të gjithë Kosovën nga afër dhe vazhdon të fokusohet në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij – që rrjedh nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë ”, ka thënë i njejti burim.
Pra, nëse i marrim parasysh këto deklarime të KFOR-it, Kosova nuk ka arsye të jetë e shqetësuar nga kërcënimet ushtarke të Serbisë. Por, kjo nuk mjafton që të merret si “terapi afatgjate”, sepse Kosova duhet të punojë në ndërtimin e një startegjie efikase mbrojtëse me ndihmën e aleatëve, sidomos të amerikanëve. Pa këtë strategji, shteti i Kosovës nuk mund ta arsyetojë politikisht angazhimin për pacenueshmërinë e territorit, sepse sovraniteti i një shteti nuk mbrohet vetëm me retorika të thata por edhe me projekte e programe konkrete në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes.

Prishtinë, 19 shtator 2022

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, së bashku me Qëndron Kastratin…