Si mundet Arsenali që të shpallet kampion i Premierligës qysh sonte? Këto janë skenaret
Arsenali është në prag të titullit të Premierligës pas një fitoreje me shumë tension ndaj Burnleyt të hënën mbrëma, që e la Manchester Cityn pa asnjë hapësirë për gabim ndërsa gara po shkon drejt fundit.
Manchester City e ngushtoi diferencën në dy pikë të mërkurën e kaluar me një fitore të lehtë ndaj Crystal Palace, por Arsenali e riktheu epërsinë në pesë pikë falë golit me kokë të Kai Havertzit në pjesën e parë, në një fitore jo bindëse 1-0 ndaj Burnleyt tashmë të rënë nga liga.
City, që tani duket se do ta humbasë trajnerin Pep Guardiola në fund të sezonit, përballet të martën mbrëma (sonte) në udhëtim me Bournemouthin, duke e ditur se çdo rezultat tjetër përveç fitores do t’ia dorëzojë matematikisht titullin Arsenalit.
Edhe nëse skuadra e Guardiolës arrin ta mposhtë Bournemouthin dhe ta çojë garën për titull në javën e fundit, Arsenalit do t’i mjaftonte një fitore ndaj Crystal Palace të dielën për ta fituar titullin e parë të Premierligës pas 22 vitesh.
Dhe sezoni mund të bëhet edhe më historik për “Topçinjtë”, pasi ata eliminuan Atletico Madridin për të arritur finalen e parë të Ligës së Kampionëve pas 20 vitesh, ku do të përballen me PSG-në në Budapest të shtunën më 30 maj.
Fitorja e Arsenalit ndaj Burnleyt i ka vënë ata në prag të lavdisë dhe mund ta fitojnë titullin jashtë fushës, me një ndeshje ende pa u luajtur, nëse Manchester City gabon ndaj Bournemouthit të martën.
Nëse City fiton në jug të Anglisë, gara për titull do të vazhdojë deri në javën e fundit.
Nëse mposht Bournemouthin të martën mbrëma, Manchester City do ta çojë garën deri në ndeshjen e fundit të sezonit, ku Arsenali luan në udhëtim ndaj Crystal Palace, ndërsa skuadra e Guardiolës pret Aston Villën.
Skuadra e Guardiolës më pas do të duhet të mposhtë Villën, e cila do të ketë luajtur një finale evropiane katër ditë më herët, dhe njëkohësisht të shpresojë që skuadra e Artetës të mos e mposhtë Palacen, që gjithashtu do të përgatitet për një finale evropiane pak ditë më vonë, në mënyrë që të rrëmbejë titullin dhe t’i japë trajnerit të tyre lamtumirën perfekte



