
Si po ndikon politika ekonomike e Trumpit?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, që është në detyrë prej pak më shumë se gjysmë viti, gjeti një ekonomi të fortë amerikane me papunësi të ulët, rritje të fortë ekonomike dhe inflacion modest.
“Pavarësisht nga cili kënd e vështron ekonominë amerikane, mund të arrish vetëm në përfundimin se ajo është shumë e shëndetshme“, tha eksperti i tregjeve ekonomike Robert Rethfeld nga Wellenreiter-Invest në janar 2025. Po që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar në ekonominë amerikane dhe jo domosdoshmërisht gjithmonë për mirë.
Treg çuditërisht i dobët pune
Shifrat e fundit tregojnë për shembull për një treg çuditërisht të dobët pune në SHBA. Sipas raportit qeveritar të publikuar të premten e kaluar në muajin korrik u shtuan vetëm 73,000 vende të reja pune jashtë sektorit të bujqësisë. Ekonomistë të anketuar nga Reuters kishin parashikuar një rritje prej 110,000 vendesh të reja pune. Në të njëjtën kohë numri i vendeve të punës që mendohej se do të krijoheshin në qershor ishte zhgënjyes – nga 147,000 që parashikoheshin u krijuan vetëm 14.000. Sipas të dhënave të rishikuara edhe në maj ishin krijuar dukshëm më pak vende pune sesa pritej fillimisht. “Shifrat janë më të këqija se çdo parashikim“, tha Helen Given, investitorja kryesore në ofruesin e shërbimeve financiare Monex, në lidhje me të dhënat e tregut të punës. Çështja kryesore është rishikimi i parashikimeve që parashikojnë rënie muaj për muaj.
Reagimi i Trumpit ndaj të dhënave
Për shkak të të dhënave çuditërisht të dobëta Trump njoftoi të premten se do të shkarkojë drejtuesen e Zyrës së Statistikave të Punës, Erika McEntarfer. Ai e akuzoi atë për manipulim të shifrave të tregut të punës për qëllime politike. “Na duhen shifra të sakta për tregun e punës“, deklaroi Trump. Menjëherë pas kësaj ai shkroi pa dhënë asnjë provë, se të dhënat e tregut të punës ishin manipuluar.
Dobësia e dollarit votë mosbesimi?
Po ashtu ekspertët e shohin dobësinë aktuale të dollarit si votë mosbesimi ndaj politikave të Trumpit, megjithëse Trumpi me këtë mund të ketë arritur pikërisht atë që synonte. Zhvlerësimi i dollarit, i cili ka humbur në mënyrë të konsiderueshme në vlerë që nga fillimi i vitit, i ka bërë për SHBA-në eksportet më të lira dhe importet më të shtrenjta. Kjo ka lehtësuar deficitin tregtar të SHBA-së. Në të njëjtën kohë zhvlerësimi i monedhës amerikane pasqyron gjithashtu frikën e investitorëve për pasojat e politikës së çrregullt doganore të Trumpit, shumë investitorë kanë tërhequr paratë e tyre nga SHBA-ja.
Politika doganore shkak për normat e larta të interesit
Prej disa muajsh si një nga arsyet pse Banka Qendore e SHBA-së (Fed) nuk i ka ulur normat e interesit permendet edhe politika e çrregullt për tarifat doganore që ndjek Trumpi. Javën e kaluar Banka Qendrore e la përsëri normën bazë të interesit në nivelin prej 4.25 deri në 4.50 përqind. Sipas drejtuesit të saj, Jerome Powell, Fed dëshiron të ketë më shumë qartësi se si politika tregtare e Trumpit, e karakterizuar nga rritja e tarifave doganore, po ndikon në gjendjen e përgjithshme konjukturore dhe ekonomike. (DW)