
Si u dekonspirova se isha ilegal
Nga Hajdin Abazi
Mbrëmja e 11-12 janarit 1984 e tronditi Prishtinën e atëhershme: me hordhitë pushtuese po luftonin deri në rënien heroike në Altarin e Lirisë së Kosovës – Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Ata janë ndër pishtarët e hershëm që e ndozën Flakadanin e Lirisë me krismat e armëve të tyre çlirimtare e me gjakun e tyre (dikush mund t’i quajë “ekstremistë të luftës”).
Lavdi në jetë të jetëve Rexhep Malës e Nuhi Berishës!
Të dashur lexues Dua të ndaj një moment interesant:
SI U DEKONSPIROVA SE ISHA ILEGAL
Ishte nëntori i vitit 1985. Në shtëpinë e familjes Agaj, përmes Avdullah Dërgutit dhe Nuhi Ahmetit, Xhavit Haziri dhe unë u vendosëm si gjojastudentë, dhe kishim zgjedhur gjysmëbodrumin me arsyetimin se ishim me provimet e fundit e nuk dëshironim të pengoheshim nga studentët e tjerë banues në të njëjtën shtëpi.
I zoti i shtëpisë, Mustafë Agaj, kishte hetuar se ne dallonim nga studentët e tjerë: ata ditën shkonin në ligjerata e natën flenin, kurse ne ditën flenim e natën rrinim zgjuar e ndonjëherë edhe dilnim (për takime, veprime e aksione ilegale).
Dyshimin e tij ia kishte shprehur gruas së tij, Nurije Agajt, të cilën ne nga respekti e quanim Loke. Lokja i kishte thënë se ajo do të na kontrollonte, se “nuk i dihet!?”.
Një mëngjes erdhi te ne, trokiti në derë dhe këmbënguli që t’ia hapnim derën, ndonëse ne i thamë se ende nuk ishim zgjuar nga shtrati. Si me marifet, Lokja pa nën dy krevatët, gjoja po i rregullonte jorganët dhe aty pa se nuk kishte asgjë.
Për një moment shikimi iu ndal të një xhamper i trashë që e veshja unë e që ma kishte sjellë, nëse nuk gaboj, Gafurr Elshani, pasi që ishte dimër e bënte ftohtë. Më pyeti se ku e kam marrë atë xhamper, e unë i thash se ma ka thurrë gjyshja. Pasi mbaroi inspektimin, Lokja na befasoi duke na ftuar për mëngjes në familjen e saj. I thamë se vetëm po visheshimi e do të shkonim.
Lokja doli.
Xhaviti, me intuitën e tij të jashtëzakonshme, kishte nuhatur diçka. “Çka pa nuk e di, po ne u dekonspiruam, shoq. Ajo e di se ne nuk jemi studentë, ndaj na ftoi në shtëpi.” Kjo ishte arsyeja që ne bëmë planin: cilido nga ne që të ishim dekonspiruar – tjetri do të gjente një arsye e do të largohej, kurse i “dekonspiruari” do të thoshte: “unë po, jam ilegal, ama ky shoku nuk di asgjë, kështu që mos i trego”.
Dhe ashtu doli.
Pasi hëngrëm mëngjes, Lokja më tha a bën me e pa pak këtë xhamper. Në atë moment, Xhaviti tha: “Faleminderit për kafjallin, po unë kam një punë e më duhet me shkua” dhe u ngrit e shkoi.
Lokja dukej sikur po e shikonte modelin, e kthente herë anën e brendshme e herë anën e jashtme, dhe sikur arriti te një shenjë që mbase vetëm ajo e dinte! “Eh, tha ajo. E gjeta. E dija, po thash mos e kam gabim” teksa dliste më shikonte në sy: “Lokes, këtë xhamper e kam thurrë unë me këto dy duar të mia. E kam ba për Besnikun” dhe i rrodhën lotët. Besniku ishte pseudonimi i Nuhi Berishës, i cili kishte qëndruar ilegal në të njëjtin gjysmëbodrum, dhe kur ishte vra nga forcat e rendit pushtues, ajo e kishte njohur se ai ishte “Besniku”.
Kështu, xhamperi më dekonspiroi!
Lokja ishte një nënë e dashur dhe atdhetare. Ajo u kujdes për në me larje rrobash, ushqim e mirëmbajtje të dhomës sonë në gjysmëbodrumin. Eh, çfarë nëne bujare ishte Lokja!
E kujtoj gjithnjë me respekt Loken.