Si u shqiptarizuan mbiemrat e popullsisë gjatë censusit një shekull më parë
Nga Hasan Bello
Një nga politikat e shtetit shqiptar në vitet 30-të kur bëhej numërimi i popullsisë ishte shqiptarizimi i patronimeve (mbiemrave).
Në fakt procesi i purifikimit të mbiemrave të shqiptarëve kishte filluar që në periudhën e pushtimit austro-hungarez në vitet e Luftës së Parë Botërore.
Në planet e saj afatgjata Vjenës i interesonte ekzistenca e faktorit shqiptar në Ballkan si barrierë e invazionit sllav. Prandaj gjatë regjistrimit që administrata ushtarake austro-hungareze i bëri popullsisë në vitin 1918 hoqi nga mbiemrat e nënshtetasve shqiptarë prapashtesat “iq, viç, ev, os, is, dhis, aqi, ev, of”.
Ky kriter u ndoq edhe nga shteti shqiptar.
Kështu, në një qarkore të 4 prillit 1934, që zëvendësministri i Punëve të Brendshme Rauf Fico i drejtoi të gjitha prefekturave urdhëroi që, për arsye se këto prapashtesa të cilat nuk përkonin me etimologjinë e emrave dhe mbiemrave në gjuhën shqipe dhe me rregullat e saj gramatikore, të ndiqeshin disa kritere.
Me rastin e regjistrimit të përgjithshëm të popullsisë, tu komunikohej të gjithë nënpunësve që ishin ngarkuar me këtë detyrë që nënshtetasit shqiptarë që mbanin akoma mbiemrat me prapashtesat e mësipërme t`i ndërronin ato me prapashtesat “aj, i, a”, për shembull “Dervishoviç-Dervishaj”, “Staniç-Stani”, “Miltiadhu-Miltaj”, “Koliqi-Kolaj”, “Belkof-Belkaj”, “Dimitriadhi-Dimitraj”, “Kristoforidhi-Kristofori”, “Andriev-Andrea”, “Llukaçevi-Llukaçaj”, “Osmanagiq-Osmanaj”, “Lazarides-Lazarej”, “Buliqi-Bulaj”, “”Sukniqi-Sukaj”, “Mandiqi-Mandia”, “Pappas-Papa”, “Stavropullos-Stavraj” etj.
Nënpunësit e administratës shqiptare, tani e tutje, duhej të kishin kujdes që gjatë lëshimit të pasaportave, letër-njoftimeve, akt-lindjeve, akt-vdekjeve, dëshmive të martesave dhe të çdo akti tjetër, të mos i shkruanin mbiemrat e nënshtesave me prapashtesat e përmendura.
Kjo procedurë duhej ndjekur edhe në rastet e përpilimit të dokumentacionit shtetëror dhe atij privat, siç ishin marrëveshjet kontraktuale etj. Zyrat e shtetit nuk duhej të pranonin asnjë lutje apo shkresë e cila mbarte mbiemra të kësaj natyre.
Për zbatimin e kësaj qarkoreje duhej të vendoseshin në dijeni pleqësitë e lagjeve dhe fshatrave si dhe zyrat noteriale ku qarkullonte një sasi e konsiderueshme dokumentacioni.
Por me rëndësi ishte pika e cila theksonte se këto kritere duhej të ndiqeshin edhe nga institucionet arsiomore, të cilat nuk duhej të regjistronin asnjë nxënës me mbiemra që binin ndesh me këtë politikë.
Këtu nuk bënin përjashtim as nënpunësit të cilat më shumë se askush tjetër duhej të mernin masa për ndryshimin e mbiemrave të tyre.
Një aspekt tjetër i kësaj politike ishte edhe shqiptarizimi i emrave të hoteleve, kafeneve, dyqaneve, magazinave, kompanive private etj që mbanin tabela ose reklama me prapashtesat “iç, viç, is, dhis, pullos, aqi, ev, of etj”, të cilat duhej të ndryshoheshin me emra që mbaronin me “aj, i, a”.
Politika të ngjashme si shteti shqiptar në vitet 20-30-të ndoqën të gjitha shtetet e sapo krijuara.
Qëllimi kryesor i tyre ishte homogjenizimi dhe rritja e kohezionit kombëtar. /albeu