Silva-Richards i Ferizajt, “Ylli i Javës” në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e 21-të të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ferizaj, Ruben Silva Richards, i cili ia ka sjell skuadrës së tij 3 pikë me shënimin e dy golave kundër FC Ballkanit, ndërsa ndeshja përfundoi me rezultat 2:1.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit. Pasi ka marrë këtë çmim, Richards është shprehur i lumtur që është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës.
“Mendoj që ka qenë një ndeshje e mirë, një ndeshje normale ku ekipi funksionoi mirë mes vete. Unë shënova dy gola, por pa përpjekjen e madhe të futbollistëve të tjerë nuk do të ishte e mundur, andaj jam shumë mirënjohës. Është një ligë shumë e mirë, me lojtarë taktikë, me kualitet shumë të mirë dhe qyteti e shteti i Kosovës janë shumë të mira. Bashkëlojtarët më kanë pritur shumë mirë dhe gjithçka është shumë bukur këtu. Jam shumë mirënjohës. I kam shënuar dy gola, por gjithashtu janë futbollistët e tjerë në ekip të cilët po kalonin javë të vështira dhe mendoj personalisht që është një tjetër futbollist që ka bërë shumë mirë në këtë ndeshje; ai është kapiteni i ndeshjes, Mexhit Neziri, të cilit ia dedikoj këtë shpërblim”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.




