Simmonsi thotë se kërkohej dënimi i ish-krerëve të UÇK-së: Shfajësimi shihej si dështim!

12 korrik 2021 | 11:40

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka thënë se ka pasur ndikime politika në rastin “Kleçka” ku ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjesëtarë të tjerë të UÇK-së ishin akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës.

Ai ka cituar gjykatësin Charles Smith, që siç ka thënë Simmonsi, kishte thënë se duhet të dënohen të akuzuarit.

“Shtetet anëtare të EULEX-it presin dënime”, e ka cituar Simmonsi gjykatësin Charles Smith.

Simmons ka thënë se gjykatësi i këtij rasti e kishte emëruar veten si gjykatës të Apelit.

Simmonsi ka thënë se ishte kërcënuar nga gjykatësi britanik, i cili sipas tij kishte kërkuar që të kishte dënime në këtë rast.

“Në katër raste të ndara, ka pasur pretendime se Charles Smith ka provuar të ndërhyjë në gjykime. Mund t’ju ofrojë dokumente për të gjitha katër rastet. Dhe nuk ishte vetëm gjyqtari Smith që donte të ndërhynte”, ka thënë Simmonsi, duke shtuar se çdo aktgjykim që i shpallte të pafajshëm ish-pjesëtarët e UÇK-së shihej si dështim.

“Shfajësimi shihej si dështim”, ka thënë Simmonsi.

Më tutje, ai ka thënë se në këtë rast kishte dëshmi të dobëta dhe hetimi në të ka kushtuar miliona euro.

“‘Kleçka’ ka qenë një rast që asnjëherë s’është dashur të shkojë në gjykim”, ka thënë Simmonsi.

Në verën e 2012-ës, Fatmir Limaj dhe nëntë pjesëtarë të tjerë të UÇK-së u akuzuan për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që siç supozohej të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999, deri në mesin e qershorit të atij viti, në një qendër të improvizuar paraburgimi nga UÇK-ja, e që ndodhej në fshatin, Kleçkë.

E më 17 shtator 2013, procesi ishte shpallur i përmbyllur me pafajësinë e të akuzuarve. Ishte hera e dytë që Fatmir Limaj ishte shpallur i pafajshëm nën akuzat për krime lufte. Më 30 nëntor të vitit 2005, Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë e kishte shpallur të pafajshëm Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant “Çeliku”, i cili në shkurt të vitit 2003, ishte akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë, gjatë luftës së vitit 1998.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ambasada Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka kërkuar…