
Sindikatat dalin kundër qeverisë, kërkojnë që paga minimale të jetë 400 euro
Rashit Mehmeti, anëtar i kryesisë së Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), njëherësh dhe anëtar i Këshillit Ekonomiko-Social dhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, kanë deklaruar se paga minimale duhet të jetë 400 euro, e jo 264 euro sa propozon qeveria.
Mehmeti ka thënë se duke u bazuar në disa statistika që janë nxjerr del që paga 264 euro është tepër e vogël për qytetarët.
“Ne i kemi nxjerrë disa statistika këtu shportën e konsumatorit e cila nuk përfshin as rrymë, as ujë e as mbeturina po vetëm jetën kështu që del diku rreth 400 e diçka euro. Prandaj ne konsiderojmë që është tepër e vogël 264 euro qysh e kanë nxjerr në bazë të statistikave”, ka thënë Mehmeti, duke shtuar se nuk janë kundër qeverisë, mirëpo sindikata shikon gjithmonë anën e punëtorit.
“Në radhë të parë ne nuk jemi kundër qeverisë. Mirëpo sindikata shikon gjithmonë anën e punëtorit, e shikon shportën e punëtorit, shportën e qytetarit gjithmonë. Unë mendoj që shporta e qytetarit tash për tash është dëmtuar mjaft shumë me këto ngritje të cilat janë bërë”, ka thënë ai.
Më tutje, Mehmeti ka rikujtuar se në vitin 2017 ka qenë një marrëveshje që paga minimale të bëhet 250 euro, por që diçka e tillë s’është realizuar asnjëherë.
“Paga minimale 264 euro, po them kështu në 2017 Këshilli i Ekonomiko Social, po flas si anëtar i këtij këshilli ne e kemi aprovuar dhe jemi marrë vesh me Odat Ekonomike që të jetë 250 euro. Mirëpo ajo nuk u realizua asnjëherë që nga atëherë”, ka thënë ai.
Edhe kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një intervistë për “EO”, ka thënë se paga minimale nuk duhet të jetë nën 400 euro. “Nuk do të pranojmë edhe në të ardhmen pagë minimale nën 400 euro pasi ne me këtë pagë që kemi kërkuar nuk është që do të kërkojmë që të bëjmë një jetë luksoze, por është diçka minimale pa të cilën nuk mund të kalohet”, ka thënë Azemi.