Sinjal i fortë për Beogradin: Shqiptarët e Luginës marrin vëmendjen e SHBA-se
Në një kohë kur vëmendja ndërkombëtare ndaj Ballkanit Perëndimor shpesh përqendrohet në dialogun Kosovë–Serbi dhe stabilitetin rajonal, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka mbetur për vite me radhë në periferi të agjendave diplomatike.
Megjithatë, zhvillimet e fundit në Kongresin e Shteteve të Bashkuara sinjalizojnë një ndryshim të rëndësishëm në këtë qasje. Miratimi në Komitetin për Punë të Jashtme i një projektligji që kërkon hartimin e një raporti gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me theks të veçantë tek shqiptarët e Luginës së Preshevës, e rikthen këtë problematikë në qendër të diskutimit ndërkombëtar.
Ky veprim i Kongresit amerikan nuk përfaqëson vetëm një iniciativë teknike apo burokratike, por një mesazh politik me peshë, i cili tregon se shqetësimet e ngritura prej vitesh nga komuniteti shqiptar në Serbi po gjejnë më në fund dëgjues në një prej institucioneve më të fuqishme vendimmarrëse në botë.
Në një rajon të karakterizuar nga tensione të pazgjidhura, standarde të dyfishta dhe sfida të vazhdueshme në fushën e të drejtave të njeriut, përfshirja e drejtpërdrejtë e SHBA-së përmes mekanizmave të saj ligjvënës ngre pyetje të rëndësishme mbi të ardhmen e politikës amerikane ndaj Serbisë dhe mbi mundësinë e përmirësimit real të pozitës së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Për shqiptarët e këtij rajoni, të cilët prej dekadash përballen me diskriminim institucional, izolim ekonomik dhe shpërngulje masive, ky zhvillim shihet si një rreze shprese, por edhe si një provë për komunitetin ndërkombëtar se sa i gatshëm është të kalojë nga deklaratat në veprime konkrete.
Në këtë kontekst, njohësit e çështjeve politike folën mbi rolin që SHBA-ja mund të luajë në adresimin e një problemi që deri tani ka mbetur kryesisht i anashkaluar.
Halili: Një raport i tillë mund të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi sfidat që përballen shqiptarët
Për këtë temë, fillimisht për “Bota sot” foli profesori Nijazi Halili, i cili e vlerësoi si hap shumë të rëndësishëm projektligjin që përfshin sfidat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Sipas tij, ky është sinjal se shqetësimet shqiptarëve po merren seriozisht nga një nga institucionet më të fuqishme ndërkombëtare.
“Së fundmi, anëtarët e Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan votuan për të çuar përpara një projektligj që kërkon nga sekretari i Shtetit përgatitjen e një raporti gjithëpërfshirës mbi trajtimin e pakicave etnike në Serbi, me fokus të veçantë te shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ky veprim shihet si një hap i rëndësishëm politik dhe diplomatik, që konfirmon se shqetësimet e komunitetit shqiptar po merren seriozisht nga një nga institucionet më të fuqishme ndërkombëtare”, deklaroi ai.
Krahas kësaj, Halili u shpreh, se një vendim i tillë jep shpresë për shqiptarët e Luginës, derisa konsideroi se presioni ndaj qeverisë së Beogradit do të shtohet.
Megjithatë, ai potencoi se ky është vetëm fillim dhe se përgatitja e një raporti të detajuar do të marrë kohë, pasi kërkon analiza, vizita e konsultime të ndryshme.
“Sinjali për shqiptarët e Luginës së Preshevës është padyshim pozitiv. Një raport i tillë mund të rrisë ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi sfidat që përballen shqiptarët, duke përfshirë çështje si arsimi në gjuhën amtare, përfaqësimi politik dhe të drejtat civile. Për më tepër, mund të shtojë presionin mbi qeverinë serbe për të respektuar standardet ndërkombëtare të të drejtave të pakicave. Megjithatë, duhet theksuar se ky është një hap fillestar. Një raport i Departamentit të Shtetit nuk ndryshon menjëherë realitetin në terren, por mund të shërbejë si bazë për veprime diplomatike dhe politike më konkrete në të ardhmen. Procesi i përgatitjes së raportit zakonisht zgjat disa muaj dhe përfshin analiza të të dhënave, vizita dhe konsultime me organizata vendore dhe ndërkombëtare. Pas përfundimit të tij, Kongresi mund të miratojë rezoluta ose legjislacion që mbështet të drejtat e pakicave”.
Ndër të tjera, profesori nënvizoi ndikimin e madh që Kongresi Amerikan ka ndaj qeverive të caktuara, derisa vendimi i tij i fundit është sinajl i mirë për shqiptarët e Luginës.
Po ashtu, tha se ky projektligj është tregues rëndësishëm i vëmendjes ndërkombëtare ndaj sfidave të shqiptarëve.
“Historikisht, raportet të ngjashme të Kongresit Amerikan kanë pasur ndikim të madh simbolik dhe shpesh janë shndërruar në presion diplomatik ndaj qeverive përkatëse. Në këtë kuadër, për shqiptarët e Luginës së Preshevës, iniciativa e Kongresit është një sinjal inkurajues dhe një mundësi për të fuqizuar avokimin për të drejtat e tyre. Në përfundim, ndërsa rruga drejt ndryshimeve konkrete mbetet e gjatë dhe e ndërlikuar, hapi i fundit i Kongresit Amerikan është një tregues i rëndësishëm i vëmendjes ndërkombëtare ndaj sfidave të komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës dhe një mundësi për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë rajon”, përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.
Duhanaj: Bashkëpunimi me SHBA-të mund të hapë rrugë konkrete dhe pozitive edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës
Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj e vlerësoi lartë përkushtimin që ka pas SHBA ndaj shqiptarëve ndër vite.
Ai në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” tha se Amerika është aleati më i madh i Kosovës, derisa potencoi se, mirënjohja ndaj saj është detyrim moral dhe politik.
“Kur flasim për çështjen shqiptare në përgjithësi në hapësirën e ish Jugosllavisë, një e vërtetë duhet të thuhet pa ekuivok: liria dhe pavarësia e Kosovës nisën të marrin formë konkrete me ardhjen e amerikanëve në Prishtinë, para më shumë se 30 vitesh.
Ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës që e përcollën nga afër realitetin në Kosovë, panë vuajtjet dhe represionin ndaj shqiptarëve dhe, për t’i mbështetur më pas, në çdo etapë vendimtare, deri në çlirimin dhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
Prandaj, shqiptarët duhet ta kenë të qartë se pa Amerikën, gjendja jonë sot do të ishte shumë më e rëndë. Ndoshta as nuk do të flisnim për shtet e institucione, por për mungesë lirie dhe të drejta themelore.
Në këtë kuadër, mirënjohja ndaj miqve tanë strategjikë është detyrim moral dhe politik. Kjo mirënjohje nuk e zbeh aspak respektin për sakrificën e brendshme, për heronjtë, dëshmorët, martirët dhe veteranët tanë, përkundrazi, e plotëson atë në mënyrë dinjitoze. Sepse kemi luftuar së bashku dhe jemi të lirë e të pavarur së bashku”, deklaroi ai.
Për këtë, Duhanaj u ndal te projektligji i Kongresit Amerikan, e ku tha se me bashkëpunim dhe ndihmë të SHBA-së, hapet rruga për plane dhe projekte konkrete për shqiptarët e Luginës.
“Sot, përballë nesh qëndron ende një çështje e pazgjidhur: Kosova Lindore, përkatësisht Lugina e Preshevës. Edhe aty, realizimi i interesave kombëtare shqiptare nuk mund të bëhet pa një bashkëpunim të ngushtë dhe të mençur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për këtë arsye, ka rëndësi të veçantë mënyra se si Kosova zyrtare paraqitet dhe sillet ndaj partnerëve amerikanë. Sa jemi mirënjohës, sa jemi të përgjegjshëm dhe sa dimë ta ruajmë respektin dhe partneritetin strategjik, këto janë pyetje kyçe për të ardhmen tonë.
Nëse Kosova ofron shembull pozitiv të maturisë politike dhe unitetit kombëtar, atëherë bashkëpunimi me SHBA-të mund të hapë rrugë konkrete dhe pozitive edhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës”.
Në fund, analisti kërkoi nga të gjithë shqiptarët që të gjejnë gjuhë të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse rreth synimeve kombëtare.
“Projektligji amerikan dhe autorizimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për përgatitjen e raporteve për këtë çështje nuk janë të shkëputura nga raportet politike, qasja institucionale dhe mënyra se si politika kosovare sillet ndaj aleatëve të saj.
Prandaj, është jetike që shqiptarët, kudo që janë, të gjejnë një gjuhë të përbashkët, unifikuese dhe gjithëpërfshirëse rreth qëllimeve dhe synimeve kombëtare. Vetëm në këtë mënyrë mund t’i bindim edhe miqtë tanë që të qëndrojnë pranë nesh dhe të na mbështesin në realizimin e objektivave tona kombëtare”, përmbylli Leon Duhanaj për “Bota sot”.



