Siria parandalon dy komplote të ISIS-it për vrasjen e presidentit Al-Sharaa
Siria ka zbuluar dy komplote të ISIS-it për ta vrarë presidentin Ahmed al-Sharaa, thanë dy zyrtarë të lartë.
Burime të Reuters, një zyrtar i lartë sirian i sigurisë dhe një zyrtar i lartë nga Lindja e Mesme, thanë se komplotet ndaj presidentit u zbuluan në muajt e fundit dhe e nënvizojnë rrezikun e drejtpërdrejt me të cilin ballafaqohet ai, kur po mundohet ta konsolidojë pushtetin në vendin e rrënuar nga lufta civile 14-vjeçare.
Në njërin rast, komploti i ISIS-it ishte i përqendruar në një angazhim zyrtar të njoftuar paraprakisht e ku do të merrte pjesë edhe Al-Sharaa, duke refuzuar që të jepte hollësi të mëtejme për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
Ministria e Informacionit e Sirisë refuzoi që të komentonte.
Komplotet e raportuara dolën në dritë kur Siria pritet të bëhet pjesë e një koalicioni global kundër ISIS-it, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kur presidenti amerikan, Donald Trump, ta presë të hënën Al-Sharaan në takimin e tyre historik në Shtëpinë e Bardhë, i pari ndonjëherë nga një udhëheqës shtetëror sirian.
Lëvizja për t’u bërë pjesë e koalicionit kundër ISIS-it është shembull i ndryshimit të Sirisë që nga rënia e ish-presidentit Bashar al-Assad – nga një aleate kyçe e Rusisë dhe Iranit drejt lidhjeve më të ngushta me botën perëndimore dhe arabe.
Gjatë fundjavës, Ministria e Mbrojtjes e Sirisë nisi një fushatë në nivel vendi, duke vënë në shënjestër celula të ISIS-it e duke arrestuar më shumë se 70 persona të dyshuar, raportuan mediat qeveritare, transmeton “Nacionale”.
Zyrtari i lartë sirian i sigurisë tha se ata po vepronin sipas të dhënave të inteligjencës se grupi ishte duke planifikuar operacione kundër Qeverisë dhe grupeve pakicë në Siri.
Qëllimi i operacionit gjithashtu ishte dërgimi i një porosie se inteligjenca siriane ka depërtuar thellë brenda ISIS-it dhe se bashkimi në koalicionin kundër grupit do të sillte një aset të rëndësishëm për operacionet globale kundër militantëve të tij.



