Situata e sigurisë në Podujevë, e mirë

28 janar 2021 | 14:32

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe ka formuar grupin punues për përgatitjen e propozim planit të punës së KKSB-së për vitin 2021 dhe informatën për aktivitetet e këtij organi për vitin 2020.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, togerja Valbona Blakçori, shefe e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Podujevë, ka thënë se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë.

Togerja Blakçori, duke raportuar për periudhën nga takimi i fundit i KKSB-së, 23 tetor 2020 dhe 27 janar 2021, ka pohuar se gjatë kësaj periudhe në polici janë raportuar 825 raste të veprave të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe, sipas saj, ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, ndërsa, si sukses të policisë togerja e konsideron identifikimin dhe arrestimin e dy grupeve, prej katër personave, që kanë kryer vjedhje të ndryshme.

Ajo ka thënë se policia është duke zbatuar planin operativ që ka të bëjë me respektimin e masave anti-Covid.

Blakçori ka thënë se krahas qytetarëve dhe bizneseve për mosrespektim të masave kundër koronavirusit, brenda një jave janë shqiptuar 20 gjoba edhe ndaj transportuesve publikë dhe udhëtarëve, për mosrespektim të distancës sociale dhe mosbartje të maskave.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, duke e vlerësuar të mirë situatën e sigurisë, ka thënë se nga marrja e detyrës në krye të komunës, është duke bashkëpunuar me organet e sigurisë, veçmas me komandantin e Stacionit Policor në Podujevë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Berat Gjimshiti ishte protagonist në fitoren spektakolare me shifrat 3-2…