‘S’ka asgjë të vërtetë’, LDK-ja mohon raportimet për një marrëveshje me LV-në
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka mohuar raportimet për një marrëveshje të mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje lidhur me zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim.
Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka mohuar raportimet se LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje janë afër një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.
Disa medie kanë raportuar të mërkurën duke cituar burime se LV-ja dhe LDK janë afër një marrëveshje që Albulena Haxhiu do të zinte pozitën e presidentes, ndërsa Lutfi Haziri i LDK-së atë të kryeparlamentarit.
Megjithatë, këto i ka hedhur poshtë Mustafa.
“Nëse ishte arritur marrëveshje iu kishim njoftuar publikisht. Nuk ka marrëveshje sekrete, prandaj jo nuk ka kurrgjë të vërtetë”, ka thënë Mustafa.
I pyetur nëse këto raportime janë spekulime, Mustafa ka refuzuar t’i jepte cilësime.
“Nuk po dua t’i cilësoj kurrqysh, por marrëveshje në këto momente që po flasim nuk ka”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa deputetja e LDK-s, Hykmete Bajrami është shprehur kundër një marrëveshjeje eventuale në mes të LDK-së dhe LV-së.
Ajo ka thënë se qëndrimi i saj është i njohur prej vitesh, ndërsa tha se nuk ka informacion për marrëveshje të arritur në mes të dy partive.
“Jo, nuk kam asnjë informacion. Nuk mund të komentoj për situata hipotetike. Ju e dini shumë qartë opinionin tim prej gjashtë vjetësh,” ka deklaruar Bajrami për “Indeksonline”.
Anëtari i Kryesisë së Lidhja Demokratike e Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova duhet të ketë një president që nuk vjen nga Lëvizja Vetëvendosje, duke theksuar nevojën për një figurë me integritet të lartë dhe të pavarur nga interesat partiake.
Hoti ka vlerësuar në një postim në “Facebook” se vetëm një president i tillë mund të garantojë balancën e pushteteve dhe të shmangë koncentrimin e pushtetit në duart e një personi të vetëm.
“Kosova duhet të ketë president që nuk është nga LV-ja, një person me integritet të lartë personal, akademik e shoqëror, që ka prioritet kushtetutshmërinë, që nuk e ka hallin se a propozohet sërish për president apo presidente”, ka shkruar Hoti.
“Vetëm kështu sigurohet balanca e pushteteve dhe evitohet koncentrimi i pushtetit tek një person i vetëm”, thotë Hoti.



