“S’kam vdekur, jam gjallë”- Në karroca e të sëmurë, shteti detyron të moshuarit të dëshmojnë se janë gjallë

30 tetor 2025 | 19:58

Frika se mund të mbesin pa të ardhurat e vetme mujore u shkon deri në palcë pensionistëve kosovarë, çdo gjashtë muaj.

Të lodhur nga sëmundjet, nga mosha dhe nga gjithë telashet që jeta u ka ngarkuar mbi supe, ata presin në radhë, për të dhënë një nënshkrim, a një shenjë të vogël që të dëshmojnë faktin se ende marrin frymë.

Për ironi të fatit, pas katër apo pesë dekadash pune, ata detyrohen të dëshmojnë ekzistencën e tyre e jo kontributin.

Bejtush Morina e njeh mirë këtë ndjenjë.

Në moshën 85-vjeçare, kur harresa tashmë është prezente, ai thotë se nuk e di as vetë se kur i vije koha për t’ia vërtetuar shtetit se jeton. Dhe po të mos ishte për djalin e tij, i cili kujdeset për krejt këtë punë, Bejtush veçse do ta kishte humbur pensionin.

Mirëpo, ai nuk është aspak i kënaqur me shumën që i jep shteti. Krejt kontributet e tij kanë humbur, pasi Serbia kurrë nuk i ka kthyer mjetet e punëtorëve kosovarë, as kursimet e mbajtura me vite nëpër banka, e as kontributet e tyre pensionale.

Shumën prej 200 eurosh pension, pas 42 vjetësh punë, 85-vjeçari e quan ndihmë sociale, jo shpërblim për mundin e jetës.

Shemsi Berisha, një tjetër pensionist, e quan krejt të pakuptimtë procedurën e dëshmimit para shtetit se është ende gjallë.

Edhe shoku i tij, Sami Asllani, mendon njësoj. 68-vjeçari thotë për KIKS Kosova se një problem i tillë do të zgjidhej shumë më lehtë nëse përgjegjësinë do ta mbanin komunat.

Më shumë se sa obligimi për të dëshmuar se janë gjallë, kjo konsiderohet si akt i rëndë për të moshuarit.

Për shtetin, lajmërimi se të moshuarit janë gjallë është vetëm një formalitet; për ta, kjo është një betejë mes detyrimit dhe dinjitetit të tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë…