Skandal: Interex kapet duke incizuar me kamerë klientët në zhveshtore, gjobitet 8 mijë euro (Dokument)

27 prill 2026 | 19:55

Në një shoqëri ku privatësia është e drejtë themelore, qytetarët duhet të ndihen të sigurt në hapësira intime si kabinat e zhveshjes, ku besimi ndaj ofruesit është maksimal. Megjithatë, realiteti në disa raste është shqetësues, pasi dyshime për vëzhgim të kundërligjshëm me kamera po cenojnë këtë siguri. Një rast i tillë është zbuluar në Interex në Gjilan.

Veriu.info ka siguruar një vendim të Agjencisë për Informim dhe Privatësi, me të cilin është gjobitur me 8 mijë euro kompania Proex Sh.P.K., e cila ka në pronësi rrjetin e supermarketeve Interex në Kosovë.

Deri të kjo gjobë ka ardhur pas ankesës që ka pranuar AIP në lidhje me shqetësimin se në Interex (25) në Gjilan, përkatësisht njësia e marketit me numër 5343984 të kompanisë Proex Sh.P.K. është instaluar sistemi i vëzhgimit me kamerë, ku një nga kamerat është vendosur në një pozicion që mund të përfshijë pamjen e brendshme të kabinës, e cila është dedikuar për të provuar rroba nga  klientët.

Në arsyetimin e vendimit të AIP bëhet e ditur se pala me rastin e ankesës ka treguar se kabina është e hapur nga lart, çka mundëson regjistrimin me kamera, duke i bashkëngjitur ankesës edhe fotografi nga vendndodhja e kamerës në fjalë.

Pas pranimit të ankesës, zyrtarët e AIP më 26.02.2025 kanë realizuar inspektim, ku është konstruar se kamera numër 17 merr pamje nga zhveshtorja, kryesisht pjesën e kokës së klientit.

Nenin 78, paragrafi 3, i LMDhP-së, ka përcaktuar se vëzhgimin me kamerë ndalohet në hapësirat  jashtë vendit të punës, veçanërisht në dhoma të ndërrimit, ashensorë, hapësira sanitare dhe në  hapësira pune me potencial të shkeljes së privatësisë së të punësuarve. Një individ që ndodhet në një kabinë prove ka të drejtën të ndiejë se po gëzon një nivel të garantuar të privatësisë, që është e paprekshme dhe e pamundësuar për t’u cenuar nga ndonjë formë vëzhgimi. Kabinat e provës janë të vendosura pikërisht për t’u ofruar individëve mundësinë për të provuar rroba pa pasur frikë se mund të jenë të ekspozuar ndaj vështrimeve të huaja. Vendosja e sistemi të vëzhgimit me kamera, të instaluar nga kontrolluesi përballë një kabine prove e cila është e hapur nga lartë dhe shihet koka e personit i cili gjendët në kabinë, ngre shqetësime të konsiderueshme mbi mbrojtjen e privatësisë. Ky veprim, konsiderohet si një shkelje e drejtpërdrejtë e të drejtës së  individëve për privatësi”, thuhet në vendimin e AIP.

Tutje në vendimin e siguruar nga Veriu.info, thuhet se “Proex” Sh.P.K (Interex, njësia 5343984 – Gjilan), njësia në cilësinë e kontrolluesit, ka përpunuar të dhëna personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë në kundërshtim me nenin 4, nenin 5 dhe nenin 78 paragrafin 3 të LMDhP-së.

Pas inspektimit, AIP me vendim ka urdhëruar kompaninë “Proex” Sh.P.K (Interex) të bëjë largimit e sistemit të vëzhgimit me kamerë që janë vendosur përballë kabinës provuese të rrobave.

Veriu.info ka tentuar të marrë një qëndrim nga “Proex” Sh.P.K (Interex) për këtë vendim të AIP, por deri në momentin e publikimit të artikullit nuk ka pranuar përgjigje për pyetjet e dërguara.

Ndryshe, në kompaninë Proex Sh.P.K. që ka në pronësi rrjetin e marketeve Interex, 100% të aksioneve i zotëron kompania CDI -Kosovo L.L.C.. Në kompaninë CDI -Kosovo L.L.C. pronar me 93% të aksioneve është biznesmeni Shaip Mikullovci, ndërsa 7% të aksioneve i zotëron Ylber Kuraja.

Foto kryesore e artikullit: Ilustrim

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pas seancës së…