
Skandal/ Me lejen e Faton Pecit, qytetarët e Kosovës hanë krimba sa herë blejnë peshk të ngrirë
Dokumentet, të cilat i ka siguruar VOX Kosova, tregojnë se peshku i mbushur me krimba prej vitesh shitet lirshëm në tregun e Kosovës, me dijeninë e institucioneve dhe lejen e ministrit Faton Peci.
Prej vitesh qytetarët e Republikës së Kosovës hanë krimba dhe parazitë të llojeve të ndryshme sa herë blejnë peshk të ngrirë nëpër marketet e Kosovës. Dhe kjo ndodh me lejen e institucioneve të Kosovës, më saktësisht Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Në dosjen e madhe që ka siguruar Vox Kosova do të kuptoni se si peshku i infektuar me krimba që fillimisht u vendos të asgjësohej nuk u largua fare nga tregu, madje vazhdoi të shitet rregullisht tash e sa vjet.
Në dokumentacionin e siguruar nga VOX do të shihni se si Ministri Faton Peci dhe Agjencia e Ushqimit që operon nën Ministrinë e tij, përkundër se vetë e konstatuan peshkun e krimbosur, përkundër se vetë morën vendim për asgjësim, përkundër se fituan edhe rastin në Gjykatën Komerciale, më pas, të diktuar nga interesa që mbetet t’i hetojë Prokuroria, dolën me një njoftim absurd ku thuhej se, përkundër se peshku në Kosovë po shitet me krimba, vazhdoni ta hani.
Një sinjalizues i brendshëm, përmes një raporti të detajuar me çfarë po ndodh, e kishte njoftuar Ministrin Faton Peci, por vetëm për ta kuptuar se ai ishte pjesë e skemës të padëgjuar më parë në Kosovë ku qytetarëve u servohen krimba, siç thonë raportet, deri në 3 centimetra të gjatë dhe të vërejtshëm për syrin e njeriut në paketimet e peshkut të importuar.
Sinjalizuesi i shkruan Pecit: “Përmes kësaj shkrese paraqes sinjalizim të brendshëm për një situatë që paraqet rrezik serioz dhe të vazhdueshëm për shëndetin e konsumatorëve…”, duke mos e ditur se po i shkruante njeriut që vetë kishte lejuar këtë rrezik nacional.
Sinjalizuesi gjithashtu i ankohet Ministrit Peci për një njoftim të frikshëm të datës 16 maj 2025 të Agjencisë së Ushqimit që thoshte: “Prania e krimbave në produktin e peshkut nuk paraqet rrezik për shëndetin e konsumatorit”, duke mos e cekur se si produkt është i papërshtatshëm dhe nuk lejohet të dalë në treg.
Ai i tregon Ministrit se ky njoftim bie ndesh me vendimet e Inspektoratit ku urdhërohet asgjësimi i peshkut me parazitë e krimba, prapë duke mos e ditur që po i shkruante njeriut që vetë ishte ideator i atij njoftimi.
Historia fillon më 17 nëntor 2023 kur një qytetar ankohet në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës pasi peshkun e ngrirë të llojit Hake Golden që e kishte blerë në marketin PROEX SHPK, vëren “një gjallesë në formë të krimbit” të cilat shihen edhe në foto që ia ka bashkangjitur ankesës.
Ankesat shtohen dhe Agjencia vendos të dërgojë mostra në laborator për të parë se për çfarë saktësisht bëhet fjalë. Meqë furnitori i marketit ishte kompania MC FOOD, bëhet kërkesë për marrjen e mostrave në depon e kompanisë për verifikim.
Raporti i analizave vjen me rezultate tmerruese. Aty thuhet: “Janë gjetur parazitë, krimba të rrumbullakët Nematod të llojit Anisakis Simplex me madhësi dy deri në tri centimetra.”
Më pas fillon një inspektim i thellë te të gjithë importuesit e peshkut në Kosovë. Analizat tregojnë se pothuajse secila kompani që merret me import të peshkut ata i sjell me krimba në Kosovë.
E njëjta vlen edhe për kompaninë Taunita, ku analiza tregon se janë gjetur parazitë në peshk. E njëjta edhe për kompaninë KAM Kosova. Po ashtu edhe për kompaninë Mediterran, ku thuhet se janë gjetur parazitë. Edhe kompania Delfin, në të gjitha mostrat e marra, del se ka parazitë, krimba, në produktet që i importon dhe i shet në Kosovë.
Përfundimisht raporti i analizave jep rezultatin e frikshëm: “Në gjithsejtë 28 mostra të përbashkëta të secilës dërgesë janë vërejtur me syrin e thjeshtë 3 deri në 10 parazitë Anisakis, madhësia 1.7 deri në 3.1 cm, me forma të lavrave të stadeve të ndryshme.”
E frikshme apo jo? Jo – ky është veç fillimi. Çka ndodh më pas është krejtësisht shokuese.
Derisa dy furnitorë “MC FOOD” dhe “Mediterran” pranojnë të asgjësojnë sasitë e infektuara me krimba, një nga furnitorët më të mëdhenj “Delfin”, mostrat e të cilit kishin dalë me krimba deri në 3 centimetra, refuzon të bëjë asgjësimin dhe ankohen.
Më 8 mars 2024 Agjencia merr vendim për të urdhëruar subjektin afarist “Delfin” që menjëherë të ndërmarrë masa që produkti i peshkut të importuar për konsum publik i cili ka rezultuar i papërshtatshëm të ndalohet nga shitja dhe sasia të kthehet në depo. Ose ta kthejë në vendin e origjinës ose të bëhet asgjësimi brenda afatit jo më shumë se 60 ditë.
Nuk ndodh as njëra as tjetra. Kompania bën ankesë për rishqyrtim të vendimit duke dashur ta plasojë në treg produktin edhe pse e pranonin vetë se është me krimba, por argumentonin se s’ka rrezik.
Për këtë arsye formohet një komision i brendshëm ad-hoc për shqyrtimin e ankesave. Komisioni thekson se në gjithë botën perëndimore kur hasen krimba të tillë, paraziti Anisakis, produktet tërhiqen nga tregu.
Çështja diskutohet edhe me ekspertin Mario Masaro, veterinar zyrtar në Ministrinë e Shëndetësisë në Itali dhe ekspert i Komisionit Evropian për sistemin RASFF. Ai në letrën e tij shkruan: “Nëse produkti është në shitje te konsumatori, prezenca e parazitëve e bën produktin të papërshtatshëm për konsumatorin.”
Madje shton: “këta lloj peshqish me krimba përdoren për ushqim për kafshë”.
Komisioni i Agjencisë jep dhjetëra argumente pse është i rrezikshëm produkti me krimba. Dhe përfundimisht vendos të mbetet në fuqi vendimi fillestar: produktet të asgjësohen e të mos kthehen në qarkullim.
Kompania nuk ndalet. Rasti shkon në Gjykatë. Por edhe Gjykata vendos ta refuzojë kompaninë.
Më 5 shkurt refuzohet kërkesa e paditësit si e pabazuar. Dhe më 27 shkurt hidhet poshtë edhe kërkesa tjetër për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve administrative. Gjykata konstaton se ekziston rreziku i nxjerrjes në treg të produktit të peshkut me prezencë parazitësh Anisakis sp. që është i papërshtatshëm për konsum dhe rrezikon shëndetin e konsumatorëve.
Prandaj Gjykata vlerëson se shtyrja e ekzekutimit është në kundërshtim me interesin publik.
Por ajo që ndodh më pas përbën një nga krimet më të mëdha të dëgjuara ndonjëherë.
Përfundimisht kompania Delfin nuk e bën fare asgjësimin përkundër vendimit të Gjykatës, sepse me një njoftim totalisht të befasishëm dhe kundër vendimeve të veta e të Gjykatës, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës del me një njoftim publik ku shkruan: “Peshku në tregun e Kosovës është i sigurt për konsum”.
Njoftimi qëllimisht i koklavitur thotë pak a shumë se po, peshqit janë me krimba, por hani edhe krimbat bashkë me peshqi. Dhe më poshtë bën një përshkrim ku shpjegon “metoda për vrasjen e fazave te lavrave tek parazitët”.
Madje aty ka edhe përshkrime të tilla skandaloze sikur rreshti ku thuhet se “është vlerësuar se një fileto me trashësi 3 cm duhet të nxehet për 10 minuta për të siguruar që larvat Anisakis spp. të shkatërrohen”.
Pra, derisa vetë Agjencia Ushqimit kishte marrë vendim për asgjësim, derisa vetë kishte formuar një grup ad hoc që rikonfirmonte vendimin, kishte marrë mendimin edhe të ekspertëve italianë e të shteteve të tjera dhe kishte edhe vendimet e Gjykatës që këto produkte duhet të largohen, tash, në kundërshtim me të gjitha këto, del me njoftim se peshqit me krimba mund të blihen e mund të hahen.
Për të gjitha këto ka qenë në dijeni e i informuar Ministri Faton Peci përmes sinjalizuesit. Por atij aq i bënte.
Prej atëherë e sot peshku me krimba që shkojnë deri në 3 centimetra shiten në gjithë marketet e Kosovës derisa furnitorët i sjellin ata nga vende të ndryshme.
Një popull i tërë ha krimba rregullisht, derisa Qeveria e di dhe e lejon, përkundër vendimeve të institucioneve të veta e Gjykatave të Kosovës.
Një rast si ky, ku rrezikohet e gjithë popullsia e një shteti, nuk është dëgjuar në historinë e pasluftës në Kosovë.
Fëmijë, të rritur e pleq hanë krimba me peshqi e peshqi me krimba për interesa të kompanive private e me lejen e plotë dhe bashkëpjesëmarrjen e Ministrit skandaloz Faton Peci.