“Skandal me të vërtetën historike”: Enver Dugolli akuzon organizatorët e ekspozitës në Prishtinë për shtrembërim të mas*krës së Dubravës
Ish-i burgosuri politik dhe i mbijetuari i masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, ka reaguar ashpër ndaj organizatorëve të një ekspozite publike të vendosur në sheshin “Nëna Tereza”, duke i akuzuar për paraqitje të pasaktë të të dhënave mbi krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës 1998–1999.
Sipas Dugollit, në këtë ekspozitë është vendosur një tabelë për masakrën në Burgun e Dubravës, ku paraqiten shifra dhe përshkrime që, sipas tij, nuk përputhen me të vërtetën historike.
Ai ka publikuar një fotografi të tabelës, duke theksuar se numri i viktimave është paraqitur gabimisht. Në tabelë figurojnë 106 të vrarë, ndërsa, sipas tij, deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe një person i zhdukur. Po ashtu, Dugolli ka kundërshtuar fuqishëm pretendimin se një pjesë e viktimave kanë qenë të armatosur.
“Pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur,” ka deklaruar ai.
Dugolli ka kërkuar nga organizatorët që të tërheqin menjëherë materialin për Dubravën dhe ta korrigjojnë atë, duke theksuar se pasaktësitë e tilla dëmtojnë rëndë të vërtetën historike dhe kujtesën kolektive.
Sipas tij, një paraqitje e tillë mund të shfrytëzohet për të përforcuar narrativa të rreme rreth ngjarjeve të asaj kohe. Në reagimin e tij, ai i ka bërë thirrje edhe institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë.
“Ftoj Prokurorinë e Shtetit, përkatësisht departamentin për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe ta hetojë këtë rast,” ka shkruar Dugolli.
Masakra në Burgun e Dubravës, e ndodhur më 19–24 maj 1999, mbetet një nga krimet më të rënda të luftës në Kosovë, për të cilën dëshmitë e të mbijetuarve konsiderohen thelbësore për dokumentimin e së vërtetës.




