
Skandal në Paris: Çanta me plane sigurie për Lojërat Olimpike të Parisit është vjedhur nga treni
28 shkurt 2024
| 10:56
Një çantë që përmbante një kompjuter dhe dy memorie “USB” që mbanin planet e sigurisë së policisë për Lojërat Olimpike të Parisit është vjedhur në një tren në stacionin Gare du Nord në Paris të Francës.
Çanta i përkiste një inxhinieri nga bashkia e Parisit, ka thënë policia të martën vonë, duke konfirmuar një raport nga televizioni “BFM”, duke shtuar se ai e kishte vendosur çantën në ndarjen e bagazhit mbi sediljen e tij.
Meqenëse treni i tij ishte vonuar, ai kishte vendosur t’i ndërrojë trenat në momentin që zbuloi vjedhjen, raporton “The Guardian”.
Ai ka thënë se kompjuteri i tij i punës dhe dy disqe “USB” përmbanin të dhëna të ndjeshme, në veçanti planet e policisë për sigurimin e Lojërave Olimpike verore të këtij viti.