
Skandal në Zhelinë, në deftesë të nxënësit shkruan “Republika e Serbisë”
Një skandal i ri është zbuluar në komunën e Zhelinës. Në adresë të redaksisë së Flakës ka mbërritur një fotografi e një deftese të lëshuar së fundmi nga shkolla e fshatit Trebosh.
Në dokumentin zyrtar, në rubrikën për shtetin, shkruan: “Republika e Serbisë”, ndërkohë që tek vendlindja figuron Tetovë, kurse në shtetësi është shënuar Maqedonia e Veriut.
“Nuk e kuptoj si Zhelina dhe Tetova paskan rënë në territorin administrativ të Serbisë. Mund të jetë ndonjë gabim teknik, por pres nga drejtoria e shkollës dhe komuna e Zhelinës që kjo deftesë të tërhiqet dhe të shpallet e pavlefshme. Vajza ime, e cila të hënën filloi klasën e tretë, duhet të marrë një dokument me të dhënat e sakta, përndryshe mund të përballemi me telashe administrative në të ardhmen për shkollimin e saj të mesëm.”
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi kujdesin dhe kontrollin e institucioneve arsimore, pasi bëhet fjalë për dokumente zyrtare që vlejnë për identifikim dhe të ardhmen akademike të nxënësve.
Ndërkohë që redaksia është në pritje të sqarimit nga komuna e Zhelinës dhe drejtoria e shkollës fillore komunale “Fan Noli” të Treboshit. Redaksia tentoi të vë kontakt me drejtorinë e shkollës përmes numrit të telefonit 044 368 500 por linja nuk u hap disa herë radhazi. /Flaka/