Skandal: Zv.ministri Vokrri e quan familjen e Skënderbeut “pravosllave”

22 maj 2025 | 14:50

Arbër Vokrri, zëvendësministër në Ministrinë e Pushtetit Lokal, njihet për deklarata të çuditshme dhe për “lidhje live” nga veriu, ku ai kalon një kohë të konsiderueshme. Pas fjalimit skandaloz në iftarin e hoxhë Shefqet Krasniqit, Vokrri e ka lëshuar edhe një koment tjetër të çudtishëm.

Në një koment, Vokrri është marrë me familjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, kryeheroit të kombit shqiptar. Duke komentuar në statusin e sindikalistit Ali Sefaj, Vokrri, që është anëtar i moçëm i VV-së, e ka quajtur familjen Kastrioti si “pravosllavë”.

Tutje, ai ka shkruar se familja Kastrioti është varrosur në manastirin më të shenjtë serb.

“Ky sultan gjysmëshqiptar e mundi perandorin gjysmëserb të Bizantit (ai u vra), dhe dihet se ishte në luftë kundër pjesës pravosllave të familjes Kastrioti, sikurse edhe i ati i tij. Megjithatë këta sulltanë nuk i kishin ngucur Kastriotët pravosllavë kur këta u bënë edhe murgj në manastirin më të shenjtë serb, aty ku edhe janë varrosë” – shkroi Vokrri.

Muaj më parë, Nacionale kishte raportuar në lidhje me një fjalim skandaloz të Vokrrit në një iftar te Shefqet Krasniqi, imam i njohur për deklarata politikisht jokorrekte. Në fjalimin me ngjyrime të theksuara fetare, Vokrri i kishte mëshuar vijë edhe historisë së kombit shqiptar përgjatë shekujve, duke pretenduar se jemi pjesë e një misioni për ta përhapur islamin kah perëndimi.

“Si besimtarë në këtë shoqëri në të cilën jetojmë, kemi potencial të hatashëm,” – tha në nisje të shpalosjes së ambicieve të tij fetare ai.

“Ne (etnia jonë) jemi produkt i kombinimit të së paku dy qytetërimeve. Por kulturalisht – elhamdulilah – qe ma shumë se gjashtë shekuj jemi në ndikim të fuqishëm të qytetërimit islam. Dhe mundemi me thanë që jemi me siguri populli i vetëm me naj signifikancë politike që mundemi mu krenu se jemi produkt i prirjes së islamit për me u përhapë kah perëndimi. Sepse një prej misioneve është që fjalën e Allahut ta çojë në çdo shtëpi dhe të jetë pishtar i qytetërimit njerëzor…” – tha ai, ndoshta duke habitur edhe hoxhallarët e shumtë që i kishte para vetes. Ishte zyrtar i lartë i shtetit, djalli ta hajë?

Zv.ministri Vokrri dukej se atëbotë përpiqej që ta ‘rishkruante’ edhe historinë e kombit shqiptar.

“E ne shqiptarët, nëse e shikojmë historinë, jemi produkt i kësaj përpjekjeje e këtij ballafaqimi. Ne nuk kemi ekzistu si entitet i veçantë e me këtë emërtim, shqiptarë, para se me ndodh ky ballafaqim në Evropë,” – argumentoi z. Vokrri, ndoshta duke çuditur shumicën e historianëve të Kosovës.

Në një rast tjetër, Vokrri nuk kishte arritur të përmbajte as gjuhën ndaj një qytetari.  Ai e kishte sharë me nanë një qytetar. “Debill, flamuri serbi në sfond e tabela ilegale. Klloshar!”

Ndërsa zv.ministri Vokrri ia ktheu me fjalë edhe më të rënda:

“Bir kurve”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hulumtuesja e Tribunalit për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi dhe…