Skandali i Rozeta Hajdarit: Nënshkroi kontratë milionëshe pa garancion bankar

28 korrik 2023 | 17:04

Rozeta Hajdari në fund të vitit të kaluar kishte nënshkruar një kontratë me “Kosmonte Foods”, i shpallur nga Qeveria Kurti si investitor strategjik.

Edhe pse ligji, por edhe vet kontrata e kërkonte garancionin bankar para nënshkrimit, Insajderi ka zbuluar se Hajdari hyri në obligime me multimilionerin Lulzim Begaj pa këtë dokument, me çka iu mundësua këtij të fundit që për 99 vite t’i merr nën kontroll 25 hektarë tokë të shtetit.

Në prill të 2020-s Albin Kurti, kryeministër sefte, kishte vizituar kompaninë e multimilionerit nga Malisheva, Lulzim Begaj – “Kosmonte Foods”.

Takime mes Kurtit e Begajt pati edhe më vonë. Por, pati edhe diçka më shumë.

“Kosmonte Foods” është shpallur nga Qeveria e dytë e Albin Kurtit si investitor strategjik, duke përfituar kështu 25 hektarë tokë të shtetit për 99 vite, për një investim që në letra thuhet se do të jetë mbi 11 milionë euro.

Në fund të vitit të kaluar ishte nënshkruar edhe dokumenti që ia mundësonte multimilionerit Begaj që të shtinte në dorë këtë tokë të shtetit. E bëri Ministrja Rozeta Hajdari.

Nga jashtë dukej gjithçka në rregull, por Insajderi ka zbuluar se në këtë proces dyshohet se është shkelur Ligji që rregullon fushën e investimeve strategjike.

Madje edhe vet marrëveshja e bërë në bazë të këtij ligji me kompaninë “Kosmonte Foods”.

Garancioni bankar nuk ishte pranuar fare në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) sic kërkohej me ligj e marrëveshje.

Kërkohej që të sillte garancion për 10 përqind të vlerës së projektit, që në këtë rast i bie mbi 1 milionë euro garancion.

Historiku i favorit të dyshimtë të Hajdarit për milionerin Begaj

Me datë 30 dhjetor 2022 Ministrja Hajdari dhe dikasteri që ajo drejton patën njoftuar opinionin se kishin nënshkruar marrëveshjen për realizimin e projektit strategjik me subjektin investues “Kosmonte Foods SH.P.K. dhe pasi që marrëveshja ishte nënshkruar ajo është protokolluar në MINT me numër rendor të arkivit 8053-01 të datës 20/12/2022.

Sipas nenit 12 të kësaj marrëveshje, qartësohej se aspekti i sigurisë së shtetit karshi këtij investimi- të sillej garancioni bankar prej 10 përqind të vlerës së investimit që është mbi 11 milionë euro në tërësi, nga ana e kompanisë, e shteti do të ia jepte 25 hektarë tokë publike.

“Investitori, para nënshkrimit të Marrëveshjes, duhet të ketë deponuar në një institucion bankar ose të sigurojë në një shoqëri sigurimesh, brenda territorit të Republikës së Kosovës, për llogari të Autoritetit Kontraktues në emër të garancionit, një shumë prej 1,114,391.82 euro (një milion e njëqind e katërmbëdhjetë mijë e treqind e nëntëdhjetë e një euro, e tetëdhjetë e dy cent), që përbën 10% të vlerës totale të investimit. Formulari sigurimit të kontratës është pjesë përbërëse e kësaj marrëveshje”, thuhet në marrëveshjen mes MINT e “Kosmonte Foods”.

Po ashtu edhe vet Ligjit për Investime Strategjike në Republikën e Kosovës, konkretisht udhëzimi administrativ i vitit 2018 në fuqi ende për mënyrën dhe metodat e verifikimit të përmbushjes së kritereve për përcaktimin e statusit të Investitorit Strategjik, e përcakton këtë dokument si bazik.

“Pas vendimit pozitiv të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe para nënshkrimit të marrëveshjes me Komisionin Ndërministrorë, investitori është i obliguar të dorëzojë Komisionit Ndërministrorë garancionin bankar në vlerë prej 10% të vlerës së paraparë të investimit”, thuhet në nenin 6, pika 12 të këtij dokumenti.

Insajderi ka disa javë që ka kërkuar përgjigje nga MINT, dikasteri që drejtohet nga Ministrja Hajdari, se a është dorëzuar ky dokument i përcaktuar me bazë ligjore, por madje edhe me vet marrëveshjen, në kohën siç kërkohet, por MINT nuk ka pranuar që të komentojë.

Insajderi ka zbuluar se një garancion bankar po për këtë projekt është lëshuar nga një bankë komerciale tek pas interesimit të gazetës për këtë dokument.

Ky dokument është lëshuar në datën 24 prill 2023 nga ProCredit Bank.

Në MINT nuk kanë pranuar që të tregojnë as me çfarë baze ligjore e kanë pranuar si garancion bankar këtë dokument afro pesë muaj me vonesë.

Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga ProCredit Bank për këtë dokument që ka lëshuar gati disa muaj pasi që është dashur të lëshohej e të deponohej në MINT, por as kjo bankë nuk ka pranuar që të komentoj.

Në kompaninë “Kosmonte Foods” nuk kanë pranuar që të japin detaje se si arritën që ta nënshkruajnë marrëveshjen pa garancionin bankar prej mbi 1.1 milionë eurosh, ani pse në vet atë marrëveshje kërkohej ky dokument.

“Kosmonte” ka siguruar të gjitha dokumentet e kërkuara për të fituar statusin e investitorit strategjik, duke përfshirë edhe gradacionin bankar në të cilin ju referohesh”, ka thënë për Gazetën Insajderi avokati i kësaj kompanie.

Ai nuk është përgjigjur në pyetjet se si u pranua ky dokument afro pesë muaj me vonesë.

25 hektarë tokë e shtetit për 11 milionë euro investim

Në fund të vitit të kaluar MINT që drejtohet nga Rozeta Hajdari kishte njoftuar që veç është nënshkruar marrëveshja përmes së cilës do t’i jepen në shfrytëzim 25 hektarë kompanisë “Kosmonte Foods”.

Dhënia në shfrytëzim e pronës do të vlejë për 99 vite në zonën kadastrale Harilaq, Komuna e Fushë Kosovës.

Sipas MINT, nga ky projekt pritet të hapen 300 vende të reja pune. Vlera totale e projektit që do të realizohet është 11 milionë e 143 mijë e 917 euro.

Përfaqësuesit e kësaj kompanie kryeministri Albin Kurti i kishte pritur në Qeveri më 3 gusht të vitit të kaluar ku kishin diskutuar për investimet që planifikohen nga “Kosmonte Foodss” dhe “Perutina Ptuj Group” nga Sllovenia.

Në vitin 2021, Qeveria Kurti kishte nxjerrë vendim për shpalljen e “Kosmonte Foodss” si investitor strategjik.

“Për zhvillimin ekonomik të vendit dhe eliminimin e barrierave tregtare, shfuqizuam rregulloret dhe aktet e trashëguara nga ish-Jugosllavia, i dhamë subjektit “Kosmonte Foodss” shpk statusin e investitorit strategjik për projektin investiv në vlerë 11 milionë euro”, shkruante Kurti më 22 shtator 2021. Vendimi pastaj u votua edhe në Kuvendin e Kosovës, ku shumicën e ka partia Vetëvendosje.

Por, dhënia e kësaj toke ka një histori të gjatë përplasjesh mes Qeverisë e opozitës.

Siç kishte raportuar Insajderi në tetor 2021, Kryetari i Komisionin për Ekonomi në Kuvendin e Kosovës, Ferat Shala, kishte akuzuar Qeverinë e Kosovës për shpalljen e kompanisë “Kosmonte Foods” si investitor strategjik, duke thënë se kjo kompani e cila është financuese e Lëvizjes Vetëvendosje, ka uzurpuar pronën e Agjencisë së Pyjeve.

Shala kishte thënë se lënda e kompanisë “Kosmonte Foodss SH.P.K”, për fitim të statusit si “Invesitor strategjik” ka vërejtje të shumta, siç tha ai njëra prej tyre është ajo për uzurpimin e pronës së Agjencisë së Pyjeve nga kompania në fjalë.

Ai kishte ngritur pretendime se “Kosmonte Foodss” është financues i Vetëvendosjes, andaj Qeveria i kthente borxhin.

“Nga tetë anëtarë të Grupit operacional, vetëm katër prej tyre e kanë nënshkruar lëndën në fjalë. Si mund ta procedojë qeveria një lëndë të tillë, që ka mangësi të shumta juridike? Investitori është në kontest gjyqësor. Kjo lëndë për mua më shumë është për prokurori. Kjo lëndë në fjalë duhet të kthehet në qeveri për kompletim, mos me vazhduar kështu. Kjo kompani është financues i VV-së”, pati deklaruar ai.

Në publik, deri tash kompania e multimilionerit Lulzim Begaj, nuk e ka konfirmuar, por as nuk e ka mohuar financimin e Vetëvendosjes.

Në mbrojtje të këtij vendimi edhe atëherë pati dalë Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila tha se kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë dhe se kompania “mundet me qenë financues i Nismës”.

“Pas një analize rishqyrtimi, do të implimentojë përpunimin e pemëve, në fund të vitit 2025 sipas planit pritet të jenë 38 mijë metra katrorë që investimet e tejkalojnë buxhetin prej 11 milionë euro. Pas verifikimit për 6 muaj, kompania nuk ka asnjë rast të hapur në Gjykatë. Pra, as me Agjencinë e Pyjeve. Por, nëse ju mendoni se ka shkelje ligjore edhe mund të mos vazhdojmë” , pati deklaruar ajo

Edhe deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, i pati dalë në mbrojtje kompanisë ” “Kosmonte Foods” duke kërkuar që kjo kompani të mos quhet zaptuese.

“Ju kisha lutur mos iu gjuani njerëzve në qafë, meqë ka edhe media këtu. Ju kisha lutur mos me quajtur këtë kompani zaptues”, pati thënë ai, duke shtuar se është projekt me rëndësi për rrethinën në atë pjesë.

Pavarësisht kritikave të opozitës, Qeveria Kurti tashmë ka marrë vendim që toka prej 25 hektarësh të kaloi në menaxhim të “Kosmonte Foods” për 99 vite, për një projekt që ata thonë se do të jetë 11 milionë.

Në prill të vitit 2020, kryeministri Kurti, së bashku me ministren Rozeta Hajdari kishin vizituar ambientet e kompanisë “Kosmonte Foods”, ku kishte pasur një takim me shefin e kësaj kompanie, Lulzim Begaj.

“Ballafaqimi me pandeminë, si për shumë mangësi të tjera, na ka bërë ta kuptojmë mungesën, nevojën dhe rëndësinë e prodhimit vendor. Prodhuesi vendor është shtyllë e rëndësishme ekonomike. Shteti krijohet me prodhime vendore. Si qeveri prioritet i yni është përkrahja për këto ndërmarrje” – ishte shprehur Kurti.

E themeluar në vitin 2000, me pronar Lulzim Begaj, “Kosmonte Foods” është kompani e specializuar për importim dhe distribuim të produkteve të freskëta. Kjo kompani tashmë eksporton në Shqipëri, Gjermani e deri në Dubai.

/GazetaInsajderi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë njofton se ia ka…