Skender Hyseni: Hiqeni tarifën pa reciprocitet!

27 shkurt 2020 | 15:46

Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës nga radhët e LDK-së, Skender Hyseni, ka kërkuar qeveria që ta heq taksën dhe atë pa reciprocitet.

Në këtë kontekst, Hyseni ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta marrin parasysh kërkesën e ShBA-së për heqjen e taksës.

“Çlirimi i Kosovës, në vitin 1999-të, dhe pavarësimi i Kosovës, në vitin 2008-të, kurrë nuk do të arriheshin pa një vullnet të pashoq të popullit të Kosovës, pa një miqësi shumë të veçantë të Kosovës me ShBA-në dhe me shtetet më të mëdha evropiane, dhe pa intervenimin e NATO-s”, ka shkruar Hyseni në “Facebook”.

Postimi i plotë i Hysenit:

KUJDES!

Hiqeni tarifën pa reciprocitet!

Dështimet në rrafshin e partneritetit strategjik me SHBA-të, NATO-n dhe BE-në nuk i falen askujt. Krekosjet dhe thirrjet këtu në vota dhe manipulimi me popullizëm është mashtrim. Para pak ditësh shënuam dymbëdhjetë vjetorin e shpalljes së shtetit të pavarur të Kosovës.

Çlirimi i Kosovës, në vitin 1999-të, dhe pavarësimi i Kosovës, në vitin 2008-të, kurrë nuk do të arriheshin pa një vullnet të pashoq të popullit të Kosovës, pa një miqësi shumë të veçantë të Kosovës me SHBA-në dhe me shtetet më të mëdha evropiane, dhe pa intervenimin e NATO-s.

“Kontratë me NATO-n” e cilësonte presidenti historik i Kosovës, dr.Ibrahim Rugova marrëveshjen e Rambujesë.

Po të ishte gjallë Presidenti Rugova, nuk do të besonte kurrë që kemi mbërri në një stad politik kur i kontestojmë apo edhe i kthejmë mbrapsht këshillat dhe sugjerimet e Amerikës, për temat kryesore të cilat do të mundësojnë stabilizimin afatgjatë të shtetit të Kosovës, njëlloj sikurse që nuk do të besonte që nuk po arrijmë, për shkak të inateve, tekeve dhe agjendave personale, të bëhemi bashkë si politikë kosovare, me qëllim të arritjes së një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, e cila do të ndërtohet mbi njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Synimet dhe objektivat madhorë të shtetit tonë nuk arrihen me politika infantile, me manovra revolucionare të zbulimit të ‘tradhtarëve’ midis nesh, me bërje publike të komunikimit të ndjeshëm zyrtar midis autoriteteve të vendit me autoritetet më të larta të NATO-s, duke shkelur kështu çdo parim elementar të diskrecionit diplomatik.

Mbështetja dhe partneriteti me SHBA-të, është mbi të gjitha. Duhet parezervë t’i japim mbështetje Agjendës së Administratës Amerikane, të përfaqësuar nga Emisari Special për bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë, ambasadorit Grenell, e cila synon ta përmbyllë kontestin shekullor në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Politikës kosovare, përkatësisht Qeverisë së Kosovës, si rrallëherë më parë i duhet maturi, mençuri, kujdes por edhe vizion për të qenë së bashku në këtë interesin jetik që sërish lidhë Kosovën dhe ShBA-në, ashtu siç ka qenë rasti në vitet e luftës dhe në vitet e pavarësisë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka…