
Skënderbeu kalon në gjysmëfinalen të Kupës
Nuk ka asnjë surprizë edhe në stadiumin “Selman Stërmasi”, teksa Skënderbeu ka arritur që të marrë një fitore 3-1 ndaj Dinamos duke siguruar një biletë për në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë.
Në minutën e 21-të ishte sulmuesi Alfred Mensah që zhbllokoi sfidën mes protestave të kryeqytetasve, për një marrje të topit me dorë para se të dërgonte topin në rrjetë, por për arbitrin goli ishte i rregullt.
Dinamo reagoi menjëherë dhe krijoi disa mundësi shënimi, por në momentin më të mirë të bluve, ishte Elvi Berisha që u lirua bukur në zonë dhe arriti të dërgojë topin në rrjetë për herë të dytë.
Për të vulosur rezultatin mendoi sulmuesi shkodran Belajdi Pusi, që pasi mori një pasim fantastik nga Berisha, shtyu topin në rrjetë. Dinamo ngushtoi disavantazhin me anë të brazilianit Wellber, ndërsa më vonë pati një sërë mundësish për të rihapur ndeshjen.