
Skriniar përfundimisht bëhet lojtar i Fenerbahçes
Fenerbahçe ka zyrtarizuar transferimin përfundimtar të mbrojtësit sllovak Milan Skriniar. Klubi turk ka arritur një marrëveshje me Paris Saint-Germain dhe vetë lojtarin për blerjen e kartonit të plotë të qendërmbrojtësit, i cili ishte huazuar gjatë merkatos së janarit.
“Mbrojtësi i kombëtares sllovake, Milan Skriniar, i cili iu bashkua ekipit tonë gjatë afatit kalimtar dimëror në formë huazimi, tashmë është pjesë e Fenerbahçes me transferim të përhershëm. Klubi ynë ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare me lojtarin, i cili do të vazhdojë të mbrojë ngjyrat verdheblu”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit nga Stambolli.
Fenerbahçe i uron mirëseardhjen mbrojtësit me përvojë dhe i dëshiron shumë suksese në aventurën e tij të re në radhët e ekipit. Skriniar, i njohur për grintën dhe qëndrueshmërinë në prapavijë, do të jetë një përforcim i rëndësishëm për objektivat ambiciozë të klubit në kampionat dhe arenën ndërkombëtare.