Smajl Latifi: Bahri Fazliu la pas një trashëgimi të pavdekshme politike, kombëtare dhe atdhetare
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka marrë pjesë në 28-vjetorin e rënies së heroit Bahri Fazliut.
“Sot, me nderim të thellë e krenari kombëtare, kujtojmë një prej mendjeve dhe figurave më të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës, Heroit Bahri Fazliu – GZIMI. Bahriu ishte shumë më tepër se një luftëtar. Ai ishte ideologu i veprimit, zëri që zgjonte ndërgjegjen kombëtare dhe prijësi që e kuptoi herët se liria nuk fitohet me pritje, por me organizim, sakrificë dhe luftë të pandalur kundër robërisë. Në kohën kur shumëkush kërkonte paqe brenda nënshtrimit, Bahriu ngriti flamurin e rezistencës dhe u bë frymëzim për brezin që mori armët për liri”, ka thënë Latifi, duke shtuar se ai jetoi pak, por la pas një trashëgimi të pavdekshme politike, kombëtare dhe atdhetare.
“Veprimtaria e tij në ilegalitet, puna organizative, artikujt mobilizues përmes revistës ilegale të kohës “Çlirimi” dhe guximi i rrallë në kohët më të rënda, e bënë Bahri Fazliun një nga shtyllat më të fuqishme të luftës çlirimtare. Rënia e tij më 7 maj 1998 ishte goditje e rëndë për Lëvizjen dhe për gjithë rrugën tonë të çlirimit, por njëkohësisht u kthye në kushtrim të madh për vazhdimin e luftës deri në fitore. Emri i Bahri Fazliut mbetet i lidhur përjetësisht me idealin e lirisë, dinjitetit kombëtar dhe bashkimit shqiptar. Sot, pas 28 vjetësh, amaneti i tij vazhdon të jetojë në ndërgjegjen tonë si obligim për ta mbrojtur të vërtetën, për të ruajtur idealin kombëtar dhe për të mos lejuar që sakrifica e dëshmorëve të zbehet nga harresa apo nga deformimi i historisë. Lavdi e përjetshme Heroit të Kombit, Bahri Fazliut – GZIMIT!”, ka thënë kryetari Latifi.



