
Smajl Latifi: Jemi të parët në Kosovë për përmbushjen e premtimeve zgjedhore
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë me dije se janë të parët në Kosovë për përmbushjen e premtimeve zgjedhor.
Ai ka theksuar se po ashtu një tjetër lajm i mirë ishte edhe shpallja e Komunës së Rahovecit si komuna më transparente në Kosovë për vitin 2024 nga Indeksi i Transparencës Buxhetore.
“Instituti GAP, një organizatë me kredibilitet të lartë për monitorimin e qeverisjes lokale, ka përditësuar pasqyrën e përmbushjes së premtimeve elektorale për mandantin e qeverisjes 2021-2025, ku ekipi ynë që qeverisë Komunën e Rahovecit, del i pari në Kosovë sa i përket përmbushjes së premtimeve zgjedhore”, ka shkruar ai në Facebook.
“Jam shumë i gëzuar me këtë sukses të arritur nga unë dhe bashkëpunëtorët e mi në pozicione drejtuese, por edhe nga puna e mirë e personelit të administratës së komunës. Nga 84 premtime të dhëna në fushatën e vitit 2021, ne kemi përfunduar përmbushjen e 66 premtimeve, 7 janë gjysmë të përmbushura, ndërsa 9 nga to tanimë kanë filluar të përmbushen”, ka theksuar kryetari Latifi.
Ai ka thënë se programin qeverisës e bën në bazë të një analize të kujdesshme të nevojave të qytetarëve.
“E kam thënë shpesh që ne programin qeverisës e bëjmë në bazë të një analize të kujdesshme të nevojave të qytetarëve, duke prioritizuar ato më të rëndësishmet dhe duke e kalkuluar me kujdes mundësinë buxhetore dhe praktike për përmbushjen e tij. Asnjëherë nuk do të jap një premtim të pambështetur, asnjëherë nuk do të kërkoj votë duke premtuar ëndrra që nuk bëhen realitet”.
“Një tjetër lajm i mirë ishte edhe shpallja e Komunës së Rahovecit si komuna më transparente në Kosovë për vitin 2024 nga Indeksi i Transparencës Buxhetore, ku morëm 100 pikë, duke e dëshmuar përkushtimin tonë për qeverisje llogaridhënëse dhe në shërbim të qytetarëve”, ka shkruar Latifi.