Smajl Latifi: Pres fitore në zgjedhjet në Rahovec

15 shtator 2025 | 11:21

Kryetari i Rahovecit dhe kandidati i AAK-së edhe për një mandat në zgjedhjet e 12 tetorit, Smajl Latifi, tha se bujqësia dhe bujqit mbeten prioriteti i lartë edhe në periudhën vijuese katërvjeçare.

Ai në intervistë për Ekonomia Online tha se pret fitore falë punës së pandërprerë kryera gjatë mandateve të kaluara, siç u shpreh, punëve që nuk ndalen dhe nuk do të ndalën asnjëherë.

“Në qoftë se do ta marrim Institutin kredibil GAP jemi Komuna e parë, për nga mbajtja e fjalës, për nga mbajtje e premtimeve. Nga gjithsej 84 premtime që i ka nxjerrë evidentuar nga programi ynë qeverisës 66 janë përmbushur plotësisht, 7 janë gjysmë të përmbushura ose duke u përmbushur, 9 janë të filluara dhe vetëm 2 të pafilluara. Shprehur në përqindje 87 për qind të projekteve të përmbushura si premtime parazgjedhore. Me këto projektet e filluara i bie 97 për qind.

Ky pozicion është i favorshëm që të konkurroj edhe për një mandat katërvjeçar se puna nuk ndalet”, tha Latifi.Ai vuri në dukje se bujqësia dhe bujqit mbeten prioritet i lartë.

“Bujqësia dhe bujqit i kemi përkrahur vazhdimisht, i kemi subvencionuar në forma të ndryshme, në këtë mandat katërvjeçar me imputet bujqësore me plehra kimikë. Kemi subvencionuar blerjen e preparateve kundër sëmundjes së hardhisë së rrushit. Me bujqit kemi komunikuar intensivisht dhe në forma të ndryshme i kemi ndihmuar rreth 3200 fermerë të regjistruar në komunën tonë. Bujqësia mbetet pa dyshim prioritet i lartë dhe që synojmë ta avancojmë mbështetjen për këtë fushë, për vreshtarët dhe pemëtarët”, tha Latifi.

Prioritet tjetër për kryetarin e Rahovecit do të jetë mjedisi. “Do të angazhohemi me investime në mbrojtje të mjedisit. Do të investojmë në infrastrukturë. Jemi duke shkuar drejt përfundimit të kanaleve të ujitjes, kanaleve të kullimit të tokave bujqësore, rregullimit të shtretërve të përrenjve. Do të hapim rrugë 150 kilometra rrugë të reja fushore. Do të kontraktojmë një kompani të licencuar që bën spërkatjen e kulturave bujqësore për vreshtat dhe perimet. Kjo është mbështetje reale konkrete dhe e domosdoshme për fermerët që do të kuptojnë dhe përjetojnë si lehtësim nga Komuna e Rahovecit.Latifi e radhit ndër prioritete edhe shëndetësinë.“Do të avancojmë më tej shërbimet shëndetësore që të jetë edhe më efikase. Do të avancojmë edhe ekipet mobile që të vizitojnë pacientët edhe në shtëpi. Do të vazhdojmë t’i trajtojmë me shumë respekt dhe do të vazhdojmë të subvencionojmë lindjet në repartin e maternitetit në Rahovec. E kemi pasur 500 euro për çdo lindje dhe tani do ta bëjmë 750 euro për çdo lindje.

Do të angazhohemi në përmirësimin e mëtejmë të infrastrukturës publike mbitokësore e nëntokësore. E kemi bërë digjitalizimin e rrjetit të ndriçimit publik si dhe do t’i modernizojmë fushat sportive ekzistuese do t’i bëjmë sipas parametrave të UEFA-s”, tha ai.

Latifi shprehet i bindur se do të shënojë fitore në zgjedhjet e 12 tetorit.

“Qytetarët i vlerësojnë lart angazhimet tona dhe se ne nuk i ndalim punët. Kemi situatë të favorshme, për shkak të punëve të kryera, por edhe shkak të vullnetit të madh dhe energjive të pashtershme pozitive si dhe vizionit të qartë për katër vitet e ardhshme. Besoj se asnjëherë nuk kemi pasur përkrahje më të madhe. Kjo është legjitime. Ne edhe gjatë kësaj fushate zgjedhore të komunikojmë intensivisht me me qytetarë dhe do ta shpjegojmë deri në detaje vizionin tonë të qartë për mandatin e ri katërvjeçar”, tha Latifi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
James Rubin, ish-ndihmës sekretari i shtetit dhe zëdhënësi kryesor i…