
Smajljaj: Koalicionet lokale tregojnë kundërthënie me qëndrimet qendrore të partive
Politologu Avdi Smajljaj, i ka vlerësuar si kundërthënëse sjelljet e partive politike në skenën lokale dhe qendrore, veçanërisht lidhur me formimin e koalicioneve.
Smajljaj ka theksuar se krijimi i disa koalicioneve në nivel lokal, si në Fushë Kosovë dhe së fundmi në Vushtrri, tregon një mospërputhje serioze me qëndrimet që partitë mbajnë në nivel qendror.
“Në nivelin lokal kanë filluar disa koalicione, si në Fushë-Kosovë dhe tashmë edhe në Vushtrri, çka përbën një kundërthënie nga ana e partive politike. Ato deklarojnë se ‘normalja’ është të bëhen koalicione, ndërsa ‘jo normalja’ të mos ketë bashkëpunime, sepse në këtë sistem me shumë parti, asnjëra nuk mund të funksionojë e vetme. Kjo përbën një kontradiktë me atë që bëjnë krerët e partive në nivelin qendror, ku shpesh demonizojnë njëra-tjetrën, ndërsa në nivelin lokal, të njëjtat parti hyjnë në koalicione. Kjo ka ndodhur edhe në të kaluarën dhe besoj se do të ndodhë përsëri, sepse, edhe nëse nuk krijohen koalicione para zgjedhjeve, ato janë të domosdoshme pas tyre”, ka thënë ai në emisionin “Mesditë” në “Tëvë1”.
Sipas tij, kjo sjellje e dyfishtë e partive politike po krijon paqartësi lidhur me qëndrimin e tyre të vërtetë: a është ai i nivelit qendror apo ai lokal?
“Krijimi i koalicioneve është normal, por partitë tona po e shfrytëzojnë si strategji për të tërhequr vota. Kjo sjellje e dyfishtë një veprim në nivelin qendror dhe një tjetër në atë lokal ngre dilema për qëndrimin e vërtetë të partive politike: cili është qëndrimi real, ai i nivelit qendror apo ai i nivelit lokal? Cilit t’i besojmë? Ka pasur madje akuza të rënda, deri në bashkëpunim me Serbinë, ndërsa në anën tjetër, po shohim bashkëpunime dhe koalicione. Atëherë, ose ajo që është thënë nuk është e vërtetë, ose dikush po e përdor këtë narrativë për qëllime politike”, është shprehur Smajljaj.