Smakaj, Kilaj dhe Fazliu kërkojnë ndryshimin e kushteve të lirimit me kusht, Thaçi ankohet për përkthimin
Bashkim Smakaj, Isni Kilaj dhe Fadil Fazliu kishin kërkuar nga gjyqtari i vetëm në çështjen gjyqësore të tyre që të ndryshojnë kushtet e lirimit të tyre.
Por, nuk janë elaburuar në seancën e së martës kërkesat e palëve mbrojtëse të të akuzuarve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Lidhur me këtë, ka pasur kundërshtime prokuroria e cila është obliguar t’i zgjerojë parashtrimet e tyre më vonë.
Ndërsa, gjatë seancës, Hashim Thaçi i cili ishte i pranishëm përmes video-lidhjes është ankuar për mungesë përkthimi.
Në seancën fillestare më 27 shkurt 2026, Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klilaj dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm për veprat penale që u vihen në barrë.
Po atë ditë (27 shkurt 2026), ka nisur dëshminë edhe dëshmitari i parë në këtë çështje gjyqësore, i cili ishte me masa mbrojtëse.
Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe më 2024 i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.
Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj janë arrestuar më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe janë transferuar në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.
Ndërsa Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.
Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.
Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet: grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe Fahri Fazliu), grupi Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe Vllaznim Kryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aty thuhet se anëtarët e grupit Fazliu, Smakaj dhe grupit Kilaj janë koordinuar për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.
Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.
Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.



