Sokol Havolli reagon për herë të parë për grushtin nga biznesmeni Valon Ademi
Sokol Havolli, ish-drejtor i Investimeve kapitale dhe menaxhimit të kontratave në Komunën e Prishtinës, thotë se “njëherë” nuk ka çfarë të deklarojë rreth incidentit të para gati një jave ku u sulmua fizikisht nga biznesmeni Valon Ademi, në një lokal në qendër të Prishtinës.
I kontaktuar nga gazeta online Reporteri.net, Havolli, tek mesditën e së mërkurës ka reaguar shkurtimisht në insistimin e mediumit për t’i kuptuar rrethanat e ngjarjes.
“S’kam njëherë me deklaru asgjë për këtë çështje në media“, tha shkurt dhe me shkrim Havolli për Reporteri.net.
Për dallim nga Havolli, biznesmeni Ademi vazhdon të jetë i paqasshëm në thirrjet e mediumit.
Rastin e grushtit të pronarit të “2A Group SHPK” – një kompani e njohur në fushën e prokurimit publik dhe tenderëve të shtetit – ndaj ish-drejtorit komunal të Prishtinës e ka konfirmuar të martën Policia e Kosovës.
“Rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhej në përgjigjen e Policisë për Reporteri.net.
Nga Prokuroria e Shtetit, të enjten, deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë deklaruar ende rreth hetimit.
Reporteri.net të martën raportoi se incidenti mes Ademit dhe Havollit ka ndodhur pas një përplasje verbale mes dyshes të cilët po qëndronin në të njëjtin lokal në Prishtinë, teksa sulmi me grusht i biznesmenit ndaj ish-drejtorit komunal u krye kur ky i fundit ishte nisur për t’u larguar nga lokali. Lajmi për rrahjen, fillimisht u raportua nga mediat në Tiranë, të shtunën, një ditë pas rastit.
Emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur me të madhe muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës, duke e vënë në qendër të një skandali të bujshëm atje.
Biznesmeni Ademi, deri në korrik të vitit 2019, kishte qenë Konsull i Nderit të Republikës së Shqipërisë në Gjilan, me vendim të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Privilegjet diplomatike atij ia kishte ndërprerë ish-ministri Gent Cakaj, në një kohë kur biznesmeni kosovar përflitej në Shqipëri për akuza të falsifikimit të dokumenteve për një tender milionësh në Bashkinë e Kavajës.
Nga ana tjetër, Sokol Havolli që aktualisht është asamblist i zgjedhur në Komunën e Prishtinës, më herët ka qenë edhe zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Kosovës dhe Drejtor i ndërmarrjes publike “Prishtina Parking”. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit ka qenë kandidat për deputet nga LDK, por që nuk ka arritur të sigurojë votat për një ulëse në Kuvend.



