Sonda “Insight” zbret në Mars, NASA do të studiojë planetin e kuq

28 nëntor 2018 | 11:35

Pas 7 muajsh udhëtimi në hapësirë, sonda robotike e NASA-s, “Insight”, ka arritur të ulet me sukses në sipërfaqen e Marsit.

Vetëm pak minuta pasi preku tokën, roboti dërgoi sinjalin që dëshmonte se ishte në rregull, e bashkë me të nisi dhe një foto të vendit ku kishte zbritur.

Ulja u bë në një rrafshinë të planetit të kuq, “Elysium Planitia”, pranë ekuatorit të tij. Shpresat janë që sonda, e cila ka me vete shumë instrumente matëse, pjesa dërrmuese nga Evropa, do të arrijë të përcaktojë strukturën e brendshme të botës shkëmbore.

Ashtu siç ka ndodhur me misione të tjera të mëparshme, “Insight”-it iu desh t’i mbijetonte të ashtuquajturave “7 minuta të tmerrit”, koha që i duhet të hyjë në atmosferën e rralluar të Marsit me shpejtësi hipersonike, për të ngadalësuar më pas ritmin e lëvizjes, me qëllimin të vendoset butësisht në terren.

Shumë e kanë provuar, pjesa më e madhe kanë dështuar. “Si eksplorues përballemi me mundësi suksesi jo më të mëdha sesa 50%”, ka thënë  kreu i departamentit shkencor të agjencisë amerikane të hapësirës, Thomas Zurbuchen.

Trashëgimia e së shkuarës i erdhi megjithatë në ndihmë “InSight”-it. Në rastin e saj u përdor i njëjti kombinim mbrojtjeje termike, parashute dhe motorësh reaktivë, që u dëshmua i suksesshëm me pozicionimin e sondës “Phoenix” të NASA-s, në vitin 2007, gjatë misionit të kërkimit për ujë./tch/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti amerikan Donald Trump mund të anulojë bisedimet e G20…