
Sondazhi i UBO Consulting: LDK-ja dhe Vetëvendosje me përkrahjen më të lartë për qeverisje
Në emisionin Debat Plus, gazetari Ermal Panduri ka prezantuar të dhënat e sondazhit më të fundit të realizuar nga UBO Consulting, i cili pasqyron preferencat e qytetarëve për koalicione të mundshme qeverisëse dhe zgjidhjen e dytë në rast se zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
Sipas të dhënave, qytetarët kanë preferuar më shumë koalicionet që përfshijnë Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) ku 22.4% e të anketuarve janë shprehur në favor të një qeverie LVV-LDK-NISMA, ndërsa 21.4% janë për një koalicion PDK-LDK-AAK-NISMA.
Për koalicionin LVV-PDK janë shprehur 11.8% e të anketuarve, ndërsa 9.4% për opsionin LVV-NISMA-Minoritetet.
Përgjigja “Asnjëra, duhen zgjedhje të reja” është përzgjedhur nga 20% e qytetarëve, ndërsa 15.1% janë deklaruar “nuk e di / pa përgjigje”.
Nga përllogaritja e dy opsioneve të para, del se LDK-ja është partia që qytetarët e preferojnë më së shumti në qeveri, me 43.8% mbështetje.
Pas saj vjen Vetëvendosje, e cila në kombinim të tre opsioneve të përmendura arrin në 43.6%.
Ndërsa PDK-ja, në alternativat e ofruara, del me 33.1% mbështetje për të qenë pjesë e qeverisë.
Në pyetjen shtesë të sondazhit, që kishte të bënte me zgjidhjen e dytë të votuesve në rast se zgjedhjet mbahen këtë të diel, qytetarët janë përgjigjur si më poshtë:
LDK – 18.5%,
LVV – 16.5%,
PDK – 13.7%,
AAK – 4%,
Lista për Familjen – 3.7%,
NISMA – 0.9%,
AKR – 0.1%,
Srpska Lista – 1.1%,
Tjetër – 0.8%,
Nuk e di / i pavendosur – 33.6%,
Refuzon të përgjigjet – 7.1%.