
Sonte ‘beteja’ e katërt në mes të Prishtinës dhe Trepçës
Gjysmëfinalet e “play-off”-it të ProCredit Superligës vazhdojnë me superndeshje këtë mesjavë. Garat shtesë kanë dhuruar emocione dhe adrenalinë. Mesjava sjell sfidat e katërta gjysmëfinale, që janë shumë të rëndësishme. Skuadra që shënon tri fitore kualifikohet në finale.
Të gjitha ndeshjet gjysmëfinale janë fituar deri më tani nga vendësit. Në kryeqytet ndeshen Sigal Prishtina me Trepçën, në një tjetër sfidë që pritet të jetë shumë interesante. Prishtinasit synojnë fitoren dhe ta barazojnë serinë në 2:2, kurse mitrovicasit të fitojnë dhe të kualifikohen për herë të katërt radhazi në finale. Takimin e parë e fituan mitrovicasit 80:65, të dytin e fituan prishtinasit pas vazhdimeve 90:83, ndërsa të tretin mitrovicasit 67:61.
Gjysmëfinalja tjetër është shumë interesante ndërmjet Pejës dhe Bashkimit. Prizrenasit po udhëheqin 2:1 në serinë gjysmëfinale dhe synojnë fitoren për t’u kualifikuar në finale, ndërsa pejanët ta barazojnë serinë në 2:2, në mënyrë që finalisti të përcaktohet në sfidën e pestë. “Portokallezinjtë” fituan ndeshjen e parë 81:61 dhe të tretën 84:78 pas vazhdimeve, kurse pejanët fituan ndeshjen e dytë 84:79.
Gjysmëfinalet IV
Të mërkurën takohen:
19:00 Sigal Prishtina – Trepça
Të enjten takohen:
19:00 Peja – Bashkimi