
Sonte dy ndeshje në Superligën e hendbollit
Gara në Superligën e Kosovës në hendboll (meshkujt) vazhdon të shtunën kur zhvillohen dy ndeshje të xhiros së 21-të. Nga ora 19:30 në palestrën “Mizahir Isma” takohen Rahoveci e Llapi. Kampioni në fuqi, Rahoveci, është favorit i madh.
I ka fituar 19 ndeshjet e deritashme dhe synon edhe fitoren e 20-të rresht. Rahoveci është lider me 38 pikë. Llapi renditet i gjashti me nëntë pikë. Gjysmë ore më vonë fillon ndeshja mes rivalëve tradicionalë, Kastriotit dhe Trepçës. Kjo ndeshje luhet në Ferizaj. Favorit është ekipi vendas, Kastrioti, që është i treti në tabelë me 28 pikë nga 19 ndeshje. Trepça është e teta, përkatësisht e fundit, me gjashtë pikë.
Në Ligën e Parë të hendbollistëve është java e nëntë. Të shtunën (19:30) është ndeshja Ulpiana-Istogu. Të dielën (19:00) takohen Prizreni e Drenica. Ndeshja mes Dritës e Deçanit zhvillohet më vonë.