Sonte dy përballje në Superligë, vëmendja te Prishtina – Trepça

06 mars 2024 | 10:27

Xhiroja e 23-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll do të sjellë ndeshje shumë interesante dhe do të zhvillohet sot (e mërkurë) dhe nesër (e enjte).

Ndeshja kryesore për këtë xhiro është ajo mes dy skuadrave rivale, Sigal Prishtinës dhe Trepçës. “Xehetarët” janë liderë me 20 fitore e dy humbje, derisa “bardhekaltrit” renditen në vendin e tretë me 14 fitore e tetë humbje.

Mitrovicasit kanë një bilanc pozitiv në përballjet e fundit me kryeqytetasit ku kanë fituar tri përballjet e fundit, derisa të dy këto klube kanë synim titullin e kampionit. Kjo ndeshje zhvillohet nga ora 19:00, derisa në kohë të njëjtë zhvillohet dhe përballja tjetër mes Pejës dhe Proton Cable Prizreni.

Pejanët janë në vendin e dytë me 16 fitore e gjashtë humbje, kurse prizrenasit renditen në vendin e shtatë me shtatë fitore e 15 humbje. Të enjten Istogu do të luajë ndaj Golden Eagle Yllit, ku therandasit janë favoritë absolutë pasi Istogu po paraqitet vetëm me basketbollistë vendorë. Istogasit kanë vetëm një fitore e 21 humbje, derisa Ylli numëron 13 fitore e nëntë humbje.

Përballja në mes të Vëllaznimit dhe Bashkimit e mbyll këtë xhiro dhe zhvillohet nga ora 19:00 në Gjakovë.

“Kuqezinjtë” janë në vendin e pestë me nëntë fitore e 13 humbje, kurse prizrenasit në vendin e gjashtë me tetë fitore e 14 humbje.

Prince Caffe Superliga-Java 23

Të mërkurën takohen:

19:00 Peja – Proton Cable Prizreni

19:00 Sigal Prishtina – Trepça

Të enjten takohen:

17:00 Istogu – Golden Eagle Ylli

19:00 Vëllaznimi – Bashkimi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ndeshje të fazës së çerekfinales së Kupës së Kosovës…