
Sonte protestë e madhe në Beograd
Sonte në orën 19:00 qytetarët e Beogradit do të mblidhen për një protestë të madhe dhe komemorative, në kujtim të 16 viktimave që humbën jetën nga shembja e një ndërtese ndihmëse në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, pikërisht në këtë datë nëntë muaj më parë.
Protesta, e cila pritet të jetë ngjarja më e madhe qytetare pas protestës së Vidovdanit, organizohet nga studentët e Fakultetit të Arteve Dramatike dhe të Fakultetit të Arkitekturës, të cilët aktualisht ndodhen në bllokadë.
Tubimi fillon në Savski Trg, përpara Stacionit të Vjetër Hekurudhor, nga ku protestuesit do të nisen në një ecje të qetë dhe të heshtur drejt stacionit “Beograd Centar – Prokop”. Në ora 19:30 është planifikuar një fjalim përkujtimor, ndërsa në Prokop do të mbahet edhe një performancë simbolike me 16 minuta heshtje dhe shiritë të zinj, në nderim të 16 jetëve të humbura.
Ndërsa shumë prisnin që zemërimi qytetar të fashitej gjatë verës, protestat dhe demonstratat janë rikthyer me intensitet në të gjithë Serbinë. Veç Beogradit, Novi Pazari, Niši, Novi Sadi, Kraljeva, Kragujevci, Valjeva dhe qytete të tjera kanë qenë skenë e protestave të fuqishme kundër padrejtësive, dhunës dhe shtypjes institucionale.
Në Novi Pazar, studentët u përballën me bastisje të dhunshme nga individë të maskuar dhe policia, por solidariteti qytetar solli një kthesë – mbrëmë studentët u rikthyen në ambientet e universitetit, të shoqëruar nga përkrahja e qytetarëve nga e gjithë Serbia.
Studentët dhe organizatorët e protestës së sotme theksojnë se kjo nuk është vetëm një shëtitje përkujtimore, por një mesazh i fortë për autoritetet, që refuzojnë të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve për drejtësi, siguri dhe dinjitet.
“Mos sillni fishkëllima, mos bëni zhurmë. Ejani me qetësi dhe respekt, për ata që nuk janë më këtu. Ejani të kujtojmë pse jemi në këmbë tash 9 muaj” – ky është thirrja e studentëve në rrjete sociale, me moton “PAMTIMO – Ne kujtojmë”.
Me afrimin e fundgushtit dhe rikthimin nga pushimet, pritet që trysnia ndaj qeverisë të rritet ndjeshëm. Protesta e sotme shihet si paralajmërimi i një vale të re të mobilizimit qytetar, që mund të kulmojë në muajin shtator me kërkesa të qarta për zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe përgjegjësi institucionale në Serbi.