Sonte superpërballja Brazil – Norvegji
Brazili dhe Norvegjia do të përballen sonte në një nga duelet më interesante të fazës së 1/8 së finales në Kupën e Botës 2026, në një sfidë ku nuk mungojnë yjet dhe pritshmëritë e mëdha.
Pesë herë kampionët e botës vijnë në këtë takim me synimin e qartë për të vazhduar rrugëtimin drejt trofeut. Skuadra e drejtuar nga Carlo Ancelotti kaloi fazën e grupeve si fituese dhe më pas eliminoi Japoninë me rezultat 2:1 në 1/16 e finales, falë një goli dramatik në minutat shtesë.
Në anën tjetër, Norvegjia ka qenë një nga surprizat e këtij Botërori. E udhëhequr nga Erling Haaland dhe Martin Ødegaard, përfaqësuesja skandinave siguroi kualifikimin në këtë fazë pasi mposhti Bregun e Fildishtë me rezultat 2:1, duke dëshmuar se mund të rivalizojë edhe me kombëtaret më të forta.
Përballja pritet të jetë spektakolare, me Brazilin që mbështetet te cilësia dhe përvoja e emrave si Vinícius Júnior, Neymar dhe shokët e tij, ndërsa Norvegjia synon të vazhdojë ëndrrën me fuqinë sulmuese të Haalandit.
Interesant është fakti se Norvegjia është një nga kombëtaret e pakta që historikisht nuk ka pësuar humbje ndaj Brazilit në përballjet mes tyre, duke e bërë këtë duel edhe më intrigues.
Fituesi i kësaj sfide do të sigurojë një vend në çerekfinale, ku do të përballet me fituesin e ndeshjes Meksikë – Angli.



