Sonte, superspektakli i 100 yjeve të muzikës për nder të mjekëve

19 prill 2020 | 10:19

Disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës janë bashkuar për të nderuar punën e mjekëve dhe infermierëve në luftën kundër koronavirusit, në mbarë botën. Lady Gaga, Paul McCartney dhe Billie Eilish, bën të ditur BBC, janë mes 100 artistëve që do të performojnë nga dhomat e ndenjes, në shtëpitë e tyre. Rolling Stones madje, ia dolën të bëhen bashkë, edhe pse të ndarë në banesat në zonat ku jetojnë.

Shfaqja 8 orëshe që do të transmetohet sonte në darkë, do të përfshijë edhe reportazhe të shkurtra nga jeta reale e punonjësve të shëndetësisë që janë në vijën e parë të betejës me Covid-19.

Lady Gaga, që është marrë me kurimin, e quajti këtë event; “Një letër dashurie për Botën”. Ajo tha se ideja është që ne t’u japim mjekëve dhe infermierëve pak nga butësia dhe dashuria që ata na kanë dhënë ne këto ditë.

Paul McCartney iu bashkua kësaj nisme, pasi i quajti ata që shërbejnë sot në shëndetësi si heronjtë e vërtetë, gjithnjë duke kuijtuar mamanë e tij, që ishte infermiere gjatë Luftës së Dytë Botërore.

I titulluar, “Një botë”, koncerti është organizuar nga lëvizja, Global Citizen, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Gjithçka do të nisë me klipe nga duartrokitjet e njerëzve nëpër ballkone për mjekët dhe infermierët. Momente mbresëlënse këto nga Italia, Spanja, Franca, Britania, Amerika e kudo tjetër.

Paratë që do të mblidhen nga ky event do të shkojnë për fondin e solidaritetit, të krijuar nga OBSH, megjithatë, Lady Gaga e bëri të qartë se synimi i koncertit më së pari është një mesazh solidariteti dhe argëtimi në këto kohë të vështira, dhe jo mbledhja e parave.

E para që do të këndojë, është amerikanja, Andra Fay, nga apartamenti i saj. Lideri i One Direction, Niall Horan vijon më pas. Do të jenë edhe John Legend me Sam Smith, dhe Billie Eilish. Më tej Rolling Stones.

Nuk mungon ylli shqiptar Rita Ora, e cila para se të këndojë një prej hiteve të saj, do t’u kërkojë ndjekësve të qendrojnë të sigurtë në shtëpi e të zbatojnë këshillat mjekësore.

Koncerti do të jetë i ndarë në dy pjesë. Një para-shfaqje prej 6 orësh që do të jetë live në Facebook, Instagram, Twitter dhe YouTube; ndjekur më pas me pjesën kryesore, 2 orëshe, që do të shfaqet në televizionet kryesore.

Të tjerë pjesmarrës janë, Jennifer Lopez, Keith Urban, Burna Boy, Luis Fonsi, Hozier dhe Stevie Wonder. Emocionuese është edhe performance e Taylor Swift.

Ky spektakël, do të mbyllet me një bashkim hyjnor zërash të Celine Dion, Lady Gaga, Andrea Bocelli dhe John Legend, me variantin e tyre të këngës “The Prayer”. Në Europë, koncerti në TV mund të shihet sonte në orën 20.15, dhe zgjat dy orë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka…