Sonte zhvillohet ndeshja Kosovë – Spanjë

08 shtator 2021 | 11:17

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e mërkurë) e zhvillon ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Spanjës. Ndeshja zhvillohet me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe është e vlefshme për Grupin B kualifikues për Botërorin 2022.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes, në konferencë për media ka thënë se po të kishte mundësi do të kërkonte nga UEFA që të mos e ketë përballë Spanjën. Trajneri zviceran ka premtuar se “dardanët” do të përpiqen të japin më të mirën në këtë ndeshje. “Përballja me Spanjën është e vështirë. Po të varej nga unë do të kërkoja nga FIFA që të mos përballemi me Spanjën. Është kundërshtare shumë e fortë. Loja zhvillohet në dy komponentë, që është posedimi i topit dhe presioni i madh. Ne do të provojmë të japim më të mirën si çdokush tjetër, siç bëri Suedia që nuk e kishte posedimin, por ia doli t’i marrë tre pikët”, ka thënë Challandes.

Edhe futbollisti Florent Hadërgjonaj ka thënë se Kosova ka marrë rezultate të mira në dy ndeshjet e fundit kundër Gjeorgjisë (0-1) dhe Greqisë (1-1), kurse ndaj Spanjës do të jetë ndeshje e jashtëzakonshme, por që futbollistët “dardanë” do të bëjnë ndeshje të mirë. “Spanja është ndër kombëtaret më të mira në botë ndër vite, pasi ka fituar dy apo tre tituj në 10 vjetët e fundit. Jemi bashkuar si skuadër, kemi pasur fazë të vështirë në vitin e kaluar. Kemi përparuar si skuadër, jemi mbledhur bashkë dhe besoj që edhe nga jashtë po shihet. Në dy lojë fituam katër pikë dhe kjo na jep vetëbesim. Kundër Spanjës do të jetë ndeshje e jashtëzakonshme, por shpresoj se do të bëjmë një lojë të mirë”, ka thënë Hadërgjonaj, i cili ka konfirmuar se është i gatshëm të luaj në cilëndo pozitë që ia kërkon trajneri. Aktualisht Kosova është e treta në grup me 4 pikë, kurse Spanja e para me 10 pikë.

Në këtë grup në të njëjtën kohë zhvillohet edhe ndeshja në mes të Greqisë dhe Suedisë.

Grupi B

Të mërkurën takohen:
20:45 Kosovë – Spanjë
20:45 Greqi – Suedi

Tabela

1. Spanja         10 pikë
2. Suedia          9
3. Kosova         4
4. Greqia          3
5. Gjeorgjia      1

/Veton ZYMBERI/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka tërhequr shortin për renditjen…