Sot, çdo dëshmor është një gur themeli i historisë sonë

30 prill 2025 | 20:54

“Sot, kujtojmë me dhembje që copëton shpirtin dhe me krenari që e mban gjallë zemrën, sakrificën e 30 prillit 1999 ditën kur mbi 300 dëshmorë ranë heroikisht në Fortesën e Drenicës dhe në fshatrat përreth, duke e bërë atë tokë të shenjtë me gjakun e tyre. Mes tyre ishte edhe vëllai im. Ai nuk u kthye më. Ia fali jetën Kosovës me bindjen e thellë se ky komb do të jetonte i lirë, krenar dhe i bashkuar”, ka shkruar në “Facebook” gazetari Astrit Gashi.

Ai në këtë ditë duke e kujtuar të vëllain, Abedinin, kujton edhe Ilaz Kodrën dhe burrat e çeliktë që i dolën përballë armikut me zemër të pathyeshme.

“Ata ishin frymëzim, jo thjesht luftëtarë. Ata ishin vetë kuptimi i fjalës ‘liri’. Dhe sot, çdo dëshmor është një gur themeli i historisë sonë, që s’mund ta lëkundë as koha, as harresa. Por sot, dhimbja bëhet më e rëndë kur shohim sesi amaneti i tyre shpesh shkelet, përdhoset, dhe lufta e shenjtë gjykohet nga ata që nuk e njohin as gjakun, as dhembjen, as nderin. Nuk mund të heshtim kur shohim se ka ende njerëz që e shesin historinë për interesa të pista, që bëjnë tregti me sakrificën e shenjtë. Ne lutemi për drejtësi. Lutemi që një ditë të vijë koha kur gjaku i tyre do të shpaguhet me bashkimin tonë me nderin dhe lirinë e plotë të shqiptarëve kudo që janë. Kjo është e vetmja kurorë që e meriton flijimi i tyre. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të 30 Prillit dhe të gjithë atyre që u bënë dritë për lirinë tonë kolektive”, ka shkruar Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 13 vjeçare është raportuar e zhdukur sot në Drejtorinë…