
Sot derbi Gjilani – Drita
Sot (e mërkurë) do të zhvillohet derbi më i madh në futbollin e Kosovës, Gjilani – Drita. Kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund të këtij edicioni, skuadrat gjilanase kanë synime të kundërta.
Përderisa Gjilani nuk është në garë për titull e as për mbijetesë, Drita po synon ta mbrojë titullin. Kampionët në fuqi do t’i kërkojnë pikët maksimale në këtë ndeshje, pasi tash janë në pozitën e dytë dhe kanë një pikë më pak se liderja aktuale, Prishtina, dhe një më shumë se Ballkani që zë vendin e tretë.
Në anën tjetër, Gjilani, edhe përkundër asaj që nuk është në garë për titull, nuk po ka mëshirë për skuadrat kundërshtare, e një gjë të tillë e dëshmoi edhe në fundjavë në përballje me Arbërinë (3-4).
Ndeshje për mbijetesë zhvillohet në Drenas në mes të Feronikelit dhe Trepçës ’89. Këto skuadra renditen në pozitën shtatë, tetë dhe kanë vetëm një pikë ndërmjet vete. E në Pejë Prishtina i shkon Besës. Në letër janë favoritë kryeqytetasit, por nëse merren parasysh dy ndeshjet e fundit, Besa mund të konsiderohet një kundërshtare e vështirë edhe përkundër fatit se është në vendin e fundit në tabelë. Të enjten Ballkani synon t’iu rikthehet fitoreve në ndeshjen kundër Arbërisë, por edhe mysafirët do të kërkojë pikë për faktin se janë në garë të rreptë për mbetjen në elitë. Ndeshja e pestë është në mes të Drenicës dhe Llapit.
SUPERLIGA – Java 33
Të mërkurën takohen:
15:00 Gjilani – Drita
15:00 Feronikeli – Trepça ’89
15:00 Besa – Prishtina
Të enjten takohen:
15:00 Ballkani – Arbëria
15:00 Drenica – Llapi
/Epoka e re/